Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka shpërfaqur hezitim të theksuar për t’u riangazhuar në dialogun Kosovë-Serbi, duke theksuar se kriza në Ukrainë dhe tensionet në rritje në Lindjen e Mesme janë çështje më prioritare për të. Christopher Hill, ambasador i SHBA-së, e potencoi qartë këtë qëndrim duke deklaruar: “Nuk jetojmë më në vitet e 90-ta, çështja e Izraelit, çështja e Iranit dhe natyrisht, çështja kryesore për Evropën është Ukraina.” Ai e bëri të qartë se Uashingtoni pret që Kosova dhe Serbia të “zgjidhin vetë problemet e tyre” dhe se SHBA-ja nuk është më e gatshme të ndërhyjë në mënyrën siç ka vepruar në të kaluarën. Hill theksoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes aktive të Evropës, sidomos në funksionalizimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke rikujtuar Prishtinën dhe Beogradin për nevojën e respektimit të zotimeve tashmë të dhëna.
Nga ana tjetër, ish-Presidenti Donald Trump ka përsëritur pretendimin se gjatë mandatit të tij të parë “e ndali një luftë” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai kritikoi Presidentin Biden për marrjen e “vendimeve shumë të gabuara” që, sipas tij, kanë dëmtuar perspektivat afatgjata dhe deklaroi: “Unë do ta rregulloj përsëri!” Në postimin e tij më të fundit në Truth Social, Trump jo vetëm që e solli në kujtesë këtë episod, por e paraqiti veten si një paqebërës global që është në gjendje të zgjidhë konflikte të ndërlikuara. Ai përmendi arritje në marrëdhëniet Indi-Pakistan, Egjipt-Etiopi dhe potencialisht, Izrael-Iran. Retorika e tij synon ta etabloj ate si kandidatin e vetëm që mund të rivitalizojë dialogun e ngecur në Ballkanin Perëndimor.
Nga ana tjetër, deklaratat e ambasadorit Hill-it dëshmojnë se administrata amerikane është më e përqendruar në çështje gjeopolitike me peshë globale, çka nënkupton një mospërfshirje të SHBA-së në Ballkan për aq kohë sa Evropa nuk merr një rol më të vendosur. Në të kundërt, Trump po përpiqet të pozicionohet si zgjidhja për problemet në Ballkanin Perëndimor, duke iu referuar ndërhyrjeve të mëparshme dhe duke premtuar se do të angazhohet sërish në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Për ata që nuk kanë ndonjë njohuri lidhur me mënyrën e përcaktimit të interesave kombëtare amerikane, qoftë edhe në marrëdhënie ndërkombëtare, ky proces në SHBA është dinamik dhe shumështresor. Ai formësohet nga një numër aktorësh dhe institucionesh me rëndësi. Nuk është rezultat i vendimmarrjes së vetme nga një individ apo një grup i caktuar. Përkundrazi, është fryt i ndërveprimeve komplekse ndërmjet politikanëve të zgjedhur, institucioneve të sigurisë kombëtare dhe forcave politike. Askush, as individ e as grup, nuk e përcakton i vetëm se çfarë përbën interes kombëtar për SHBA-në. Ky përcaktim është rezultat i ndërveprimit të ndërlikuar ndërmjet presidentit, kongresit, agjencive strategjike, opinionit publik dhe grupeve të ekspertëve, të gjitha këto të integruara në një demokraci pluraliste, e cila funksionon nëpërmjet balancës dhe kontrollit kushtetues të pushteteve.
Realisht, Kosova dhe Ballkani Perëndimor, vazhdojnë të mbeten në suaza të interesit kombëtar amerikan dhe interesave evropiane, por për shkak të konfliktit në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme fokusi i mekanizmave të politikës së tyre të jashtme është zhvendosur në këto vatra të luftës.
Lufta ndërmjet Izraelit dhe Iranit ka shënuar një kërcënim serioz për tërë Lindjen e Mesme duke rrezikuar të përfshijë edhe shtete tjera në rajon, por edhe vendet perëndimore të udhëhequra nga SHBA-të. Është evidente se për Izraelin kjo luftë është e rëndësisë jetike dhe përqendrimi i tij është në shkatërrimin e çfarëdo potenciali për ndërtimin e armatimit nuklear. Pra, për dallim prej shteteve tjera në Lindje të Mesme, armatimi atomik eventual i Iranit konsiderohet si kërcënim i drejtpërdrejt për ekzistencën e vet shtetit të Izraelit. Nga ana tjetër, për Perëndimin, parandalimi i posedimit të armëve atomike nga ana e Iranit dhe sidomos regjimi i tanishëm shihen si kërcënime me përmasa përtej Lindjes së Mesme. Pra, kemi të bëjmë me konvergjencë të fuqishme ndërmjet interesave të Izraelit që ka për fokus shkatërrimin dhe parandalimin e armatimit bërthamor të Iranit, me interesat e shteteve perëndimore për të ndryshuar regjimin ekzistues në Iran. Këto dy çështje dhe tendenca e regjimit të tanishëm iranian për të mbijetuar janë premisa që konflikti nuk do të përmbyllet aq shpejt. Gjithashtu është vërejtur tendenca iraniane për të kërkuar një ndërmjetësim aktiv nga ana e shteteve arabe në rajon, por që është duke hasur në vesh të shurdhër, ngase edhe vet shtetet arabe e konsiderojnë Iranin si kërcënim për shkak të financimit të grupeve terroriste të cilat jo rrallë u kanë shkaktuar telashe të mëdha.
Nga ana tjetër, lufta Rusi-Ukrainë erdhi si rezultat i humbjes së ndikimit rus, i cili me çdo kusht tentohej të ruhej mbi pushtetin e Ukrainës dhe territorin e saj. Veprimet ruse kundër Ukrainës filluan me aneksimin dhe shpalljen e pavarësisë së Krimesë, krahinë e cila gjendet në territorin e Ukrainës. Veprimet ruse vazhduan edhe me rajone tjera, si: Donetsk, Luhansk, Zaporizhia, Kherson, e të cilat përbëjnë shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Strategjia dhe kalkulimet e Rusisë ishin të gabuara, ngase kishte planifikuar që pushtimi i Ukrainës do të ndodhte shpejt me ç’rast tërë Ukraina do të rikthehej në kontrollin e saj duke përcaktuar edhe lidershipin e ri ukrainas që do të ishte në harmoni të plotë me të duke ndjekur agjendat ruse me besnikëri. Që në fillim të konfliktit, gjendja në terren u manifestua krejt ndryshe nga që ishte e planifikuar nga lidershipi rus.
Kjo luftë po i afrohet vitit të katërt dhe ende nuk shihet në horizont ndonjë marrëveshje e ndërprerjes së saj. Rezistenca e Ukrainës është bërë e mundur nëpërmjet kontributit të fuqishëm të Perëndimit, në veçanti SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe shteteve tjera të cilat në vazhdimësi përkrahën lufën e drejtë të Ukrainës.
Sigurisht, kjo luftë do të përfundojë me një marrëveshje paqeje, por është e rëndësishme se çka do të përmbaj kjo marrëveshje. Marrëveshja, sigurisht duhet të bazohet në kërkesat e Ukrainës dhe kushtet e saj. Ajo po përballët me një agresion të pa provokuar, i cili bie në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet themelore të saj. Pasojat e luftës janë të mëdha, me ç’rast Ukraina ka humbur qindra mijëra jetë njerëzish, ekonomia dhe infrastruktura e saj tashmë është shkatërruar si rezultat i agresionit. Andaj, çdo iniciativë për arritjen e një marrëveshje për paqe, duhet t‘i marrë parasysh kërkesat legjitime të Ukrainës dhe popullit të saj. E tërë kjo, për të siguruar një paqe të qëndrueshme. Pa dyshim, SHBA-të, BE-ja dhe vendet tjera, mund të kontribuojnë në ndërmjetësimin dhe përafrimin e qëndrimeve të palëve ndërluftuese për arritjen e një marrëveshjeje e cila do të prodhonte siguri jo vetëm për këto dy vende, por edhe më gjerë. Një marrëveshje e tillë nuk mund të ndodhë shpejt për shumë arsye. Së pari, qëndrimet e palëve ndërluftuese janë diametralisht të kundërta. Pastaj, Ukraina kërkon kthimin e territorit të saj të okupuar dhe anëtarësim në BE dhe NATO. Kërkesa këto të cilat janë në kundërshtim me qëndrimet ruse. Nga ana tjetër, Rusia tanimë ka njohur pavarësinë e territoreve të aneksuara dhe kontrollon një pjesë të konsiderueshme të territorit të Ukrainës. Ndër të tjera, ajo fuqishëm kundërshton anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Këto qëndrime të të dyja palëve dhe qëndrimet e BE-së dhe SHBA-së për luftën në Ukrainë, nuk premtojnë arritjen e një marrëveshje paqeje në të ardhmen e afërt.
Duke marrë parasysh faktet e përmendura, si pasojë e vatrave të luftës në Lindje të Mesme dhe Ukrainë, përfshirja aktive amerikane në Ballkan nuk është në dukje dhe as prioritare. Një gjë e tillë mund të ndryshoj vetëm nëse vjen deri te përkeqësimi drastik i gjendjes së sigurisë në rajonin e Ballkanit me mundësi të shpërthimit të ndonjë konfrontimi të kufizuar. Një gjë e tillë nuk është në favor të Kosovës dhe duhet bërë çmos që të evitohet. Rrjedhimisht, Kosova do të duhej t’i konsolidoj institucionet e veta politike, të përqendrohet në zhvillimin ekonomik dhe të fuqizoj bashkëpunimin multilateral dhe bilateral me shtetet e BE-së dhe SHBA-në duke u shndërruar në eksportues të sigurisë në rajon. Zhvillimi ekonomik dhe fuqizimi politik i Kosovës në rajonin e Ballkanit do të jetë vendimtar gjatë lidhjes së marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, në të ardhmen. Deri atëherë, normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi duket të jetë peng i zhvillimeve gjeopolitike globale.