OPEC ul prodhimin, pritet të “fluturojnë” çmimet e naftës në Kosovë

Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës ka bërë të ditur faktin se mund të ketë rritje të çmimit të naftës, pasi ka rënë sasia e prodhimit të saj për 2 milionë fuçi në ditë. Për këtë vendim, i cili do të ndikojë edhe në Kosovë, njohësit e ekonomisë kanë theksuar se Qeveria nuk ka shumë mundësi për intervenime, pasi ka mungesë të rezervave shtetërore

Fotografi ilustruese





Kosova, në ditët në vijim pritet të ketë ngritje enorme të çmimit të naftës, kjo pasi në tregjet ndërkombëtare ka një rritje të çmimit, e cila pritet të reflektojë edhe në vendin tonë.

Kjo situatë vjen pasi të mërkurën e 5 tetorit, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC+), ka vendosur që të ulë prodhimin e naftës me dy milionë fuçi, si reagim ndaj uljes së çmimit të karburanteve.

Kjo masë mund të shkaktojë pasoja të ndjeshme te ekonomia globale e cila po përjeton vështirësi, dhe të rrisë çmimet për konsumatorët amerikanë, çka mund të ndikojë politikisht në zgjedhjet për kongresin amerikan në nëntor.

Se si do të jetë situata në Kosovë pas këtij vendimi, kryetari i Shoqatës të Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Bernjani, për Portalin Dukagjini ka thënë se sa herë ka rritje të çmimeve të derivateve në Kosovë, një ndër indikatorët është organizata prodhuese, OPEC+.

Fadil Bernjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës

Ndër të tjera, ai ka thënë se mbi 400 pika të karburanteve janë në buzë të falimentimit, pasi siç thotë ai, për shkak të kësaj situate, janë duke punuar me humbje.

Ndërsa, njohësi i çështjeve ekonomike, Florin Aliu, për Portalin Dukagjini ka thënë se, embargo e vendosur nga vendet anëtare të BE-së për naftën ruse, ka krijuar hapësirë që vendet e tjera të OPEC-ut të gjenerojnë fitime supernormale.

E në Kosovë, sipas Aliut, Qeveria nuk ka shumë hapësirë për të vepruar në lidhje me këtë çështje, pasi vendosja e çmimeve tavan mund të dëmtojë biznese që merren me naftë në vend.

Vendosjen e çmimeve tavan, ai nuk e ka konsideruar si ide të mirë, pasi disa nga bizneset mund të falimentojnë sepse nuk mund të operojnë me çmime më të ulëta, gjersa ka shtuar se qeveria në këtë kohë mund të aktivizojë më shumë autoritetin e konkurrencës për t’i monitoruar çmimet në mënyrë që të mos lejohen spekulimet në treg.

“Si mallrat e tjerë, edhe nafta përcaktohet nga forcat e ofertës dhe kërkesës. Nëse kërkesa mbetet e njëjtë ndërkohë që oferta është në rënie, atëherë çmimet do të rriten, gjë që po ndodh me çmimin e naftës”, ka deklaruar ai.

Florin Aliu, njohës i çështjeve ekonomike

Sipas tij, anëtarët e OPEC-ut e kanë nuhatur këtë çështje dhe nuk janë të gatshme të rrisin ofertën e tyre, pasi e dinë se nëse e rrisin ofertën, çmimet do të ulen.

Siç thotë ai, në këtë kuadër, çmimet pritet të rriten më tej ose të paktën të mos ulen.

Po ashtu edhe ekonomisti, Naim Huruglica, ka thënë se Qeveria nuk ka në dorë shumë mundësi për intervenime.

“Mungesa e rezervave shtetërore dhe pamundësia e intervenimit me rezerva që mungojnë, do ta detyrojë Qeverinë që të vazhdojë të ndërhyjë në përcaktimin e marzhave të fitimit për kompanitë e naftës dhe caktimin e çmimeve tavan”.

Sipas tij, një zgjidhje që do të mund të kishte efekt në këtë situatë, do të ishte ulja e normës së TVSh-së nga 18 për qind në 10 për qind për një kohë të caktuar.

“Rritja e vlerës së naftës në import do të sjellë të hyra më të larta në TVSh sesa ato që janë planifikuar, dhe Qeveria këtu ka mundësi të uljes së normës aktuale prej 18%”, ka vijuar ai.

Po ashtu, Huruglica ka përmendur edhe subvencionimin e naftës për kompanitë transportuese të udhëtarëve dhe mallrave, me çka do të ulej presioni për rritje të kostos së transportit të udhëtarëve dhe mallrave, si dhe mbikëqyrjen e çmimeve të shitjes me pakicë.

Naim Huruglica, ekonomist

Ndryshe më 5 tetor, anëtarët e OPEC-ut mbrojtën vendimin e tyre si një përgjigje ndaj “pasigurisë” së konsiderueshme, në lidhje me kërkesën e ardhshme për naftë, mes frikës se ekonomia globale po shkon drejt një recesioni.

“Vendimi është teknik, jo politik,” u ka thënë gazetarëve ministri i Energjisë së Emirateve të Bashkuara, Arabe Suhail al-Mazroui, ndërsa anëtarët e OPEC+ u mblodhën në Vjenë për të diskutuar planet.

Vendimi i fundit i OPEC+ nuk është i rëndësishëm vetëm për tregjet e naftës, por edhe për gjeopolitikën.

Ilustrim

Lëvizja jo vetëm që bart rrezikun e rritjes së çmimeve të naftës, por gjithashtu do të dëmtojë përpjekjet e Perëndimit, për të kufizuar të ardhurat e naftës ruse të përdorura për të mbështetur luftën në Ukrainë.

Shumë vende do ta shohin këtë si një tregues të qartë të prodhuesve të mëdhenj të naftës, veçanërisht, Arabia Saudite që do ta mbështesë Rusinë në emër të menaxhimit mbrojtës së tregut të naftës.

Duket se vendimi kishte mbështetje në të gjithë grupin, pasi ministrat e energjisë së OPEC+ miratuan propozimin në një takim që zgjati 30 minuta.

Për sa i përket tregjeve të naftës, edhe pse ky është një reduktim i konsiderueshëm, ndikimi aktual në furnizimet globale në terren do të ishte më i vogël, sepse disa anëtarë të OPEC+ tashmë po pompojnë shumë nën kuotat e tyre zyrtare.





Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika