Ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka përshëndetur miratimin nga deputetët e Kuvendit për dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gazë, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, duke e cilësuar atë si një hap historik për vendin.
Sipas Osmanit, 89 votat pro të deputetëve dëshmojnë unitetin shtetëror dhe përkushtimin e Kosovës për paqe dhe siguri globale, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët ndërkombëtarë, njofton Dukagjini.
Osmani theksoi se ky angazhim vjen në përputhje me zotimet e marra më 19 shkurt, përfshirë marrëveshjen e nënshkruar me presidentin amerikan Donald Trump, dhe e vendos Kosovën në një rol aktiv në mbrojtjen e paqes globale.
“Ky hap është vazhdim i përkushtimit tonë për paqe, siguri dhe përgjegjësi globale, në përputhje me zotimin që kam nënshkruar më 19 shkurt me Presidentin Trump dhe me partnerët e tjerë. Sot, FSK-ja qëndron krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë, duke dëshmuar se Kosova është e gatshme të marrë përgjegjësi të barabarta në mbrojtje të paqes. Ky angazhim është një dëshmi e qartë e kapacitetit tonë shtetëror që forcon subjektivitetin ndërkombëtar të vendit tonë dhe rritë besueshmërinë e Kosovës si partner i denjë në skenën globale. Njëkohësisht, ky angazhim i ngrit kapacitetet profesionale të FSK-së dhe e afron vendin tonë më afër se kurrë me synimin strategjik për anëtarësim në NATO”, ka shkuar Osmani.
Mes tjerash, ish-presidentja bëri thirrje që të ratifikojnë sa më shpejt marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordi i Paqes, duke e cilësuar atë si thelbësor për koordinimin e misionit dhe forcimin e orientimit euroatlantik të vendit.
“Në këtë frymë uniteti dhe përgjegjësie, u bëj thirrje të gjithëve që, me urgjencë dhe në mënyrë unanime, të ratifikojnë marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, si një mekanizëm i domosdoshëm politik për koordinimin e këtij misioni ushtarak, i cili po ashtu forcon sigurinë shtetërore dhe orientimin euroatlantik, garanton sovranitetin, siguron përfaqësim të barabartë dhe krijon mundësi për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimin e njohjeve të reja”.
Kujtojmë se deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar këtë të premte propozimin e Qeverisë për dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gazë, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.
89 deputetë kanë votuar pro teksa gjatë këtij votimi nuk pati asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, njofton Dukagjini.