Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 25-vjetorin e Masakrës së Korishës në Prizren, duke thënë se qëllimi i Serbisë ishte shfarosja.

Siç ka bërë të ditur Zyra e Presidencës të hënën, Osmani ka theksuar se barbaria e regjimit kriminal u manifestua ndaj shqiptarëve pa dallim moshe.

“25-vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal serb vranë 77 gra, burra, pleq, në mesin e cilëve 14 fëmijë nga fshatrat: Korishë, Budakovë, Bllacë, Reshtan, Mushtisht dhe Grejkoc. Barbaria e regjimit kriminal u manifestua ndaj të gjithë shqiptarëve pa dallim moshe, ngase i vetmi qëllim ishte shfarosja”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani ka shtuar se plagët e mizorive sikurse kjo në Korishë, na sjellin në vëmendje çmimin e lartë të lirisë, ndaj angazhimi për drejtësi nuk do të ndalojë asnjëherë.

“Qoftë i përhershëm kujtimi dhe nderimi për të gjithë të rënët për liri”, ka thënë tutje ajo.

25 vjet nga masakra serbe ndaj shqiptarëve në Korishë