Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në New York ka zhvilluar një takim me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në takimin me Lajçak, Osmani ka theksuar se suksesi i dialogut lidhet me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

Gjithashtu, në takimin e tyre është diskutuar edhe për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, një çështje e cila siç ka thënë Osmani ka ndikuar tek qytetarët e Kosovës.

“Në Nju Jork, u takova me Miroslav lajçak për të diskutuar zhvillimet e fundit në dialog. Theksova se suksesi i saj është i lidhur me zbatimin e balancuar dhe të plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, si dhe heqjen e masave të BE-së që po prekin qytetarët tanë”, ka shkruar Osmani në platformën X, e njohur më parë si Twitter.

Lajçak është në qendër të kritikave në Kosovë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar atë për koordinim të dyshimtë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Këto akuzat janë bërë gjatë një konference për media të zhvilluar nga Kurti, ku ai ka bërë të ditur se Lajçak ka vepruar në “mënyrë të papërshtatshme”.

In New York, I met with @MiroslavLajcak to discuss recent developments in the dialogue.

Emphasized that its success is linked to a balanced and full implementation of the Brussels agreement and Ohrid annex, as well as the removal of EU measures that are affecting our citizens. pic.twitter.com/A3y7spnrCV

— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) September 20, 2023

Ndryshe, Osmani është takuar të mërkurën edhe me sekretarin e shtetit të ShBA-së, Antony Blinken.

Osmani ka bërë të ditur se me të ka biseduar për fuqizimin e Kosovës dhe për të ardhmen euroatlantike.

“Diskutim i rëndësishëm me Sekretarin Blinken për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, fuqizimin ndërkombëtar të vendit tonë, stabilitetin në rajon, si dhe rëndësinë e bashkërendimit me aleatët”, ka shkruar ajo.

Tutje ajo ka thënë se “lidhja me ShBA-të është ekzistenciale dhe e pashkëputshme!”.

Përveç me Blinken, të martën Osmani është takuar me këshilltarin e lartë amerikan të shtetit, Derek Chollet.