Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas përleshjes dhe ndërhyrjes së Policisë së Kosovës gjatë protestës së djeshme në sheshet e Prishtinës, duke dënuar ashpër, siç thotë, dhunën e ushtruar ndaj veteranëve dhe protestuesve.
Në reagim, OVL-UÇK e ka cilësuar situatën si “njollë të rëndë” mbi institucionet e Kosovës dhe ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se e kanë vënë Policinë përballë veteranëve.
“Ajo që ndodhi dje është një njollë e rëndë mbi institucionet e Republikës së Kosovës. Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla, dy dezertorë të luftës, e vunë Policinë përballë veteranëve tanë, të cilët luftuan, u plagosën dhe dhanë gjymtyrët e tyre për ta bërë të mundur këtë shtet”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Organizata ka kërkuar përgjegjësi për, siç pretendon, dhunën ndaj veteranëve, si dhe hetim për çdo rast të mundshëm të tejkalimit të kompetencave nga zyrtarët policorë.
OVL-UÇK ka kërkuar gjithashtu lirimin e Ekrem Selimit dhe Fadil Zogajt, për të cilët thotë se po mbahen në paraburgim nga organet policore.
“OVL-UÇK kërkon përgjegjësi të plotë për urdhëruesit dhe zbatuesit e kësaj dhune, si dhe hetim të menjëhershëm për çdo tejkalim të kompetencave”, thuhet në reagim.