Me aktgjykimin e 21 prillit 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur fajtorë tre të akuzuarit dhe i kishte dënuar me dënimet përkatëse. Tashmë, Gjykata e Apelit ka vërtetuar këtë vendim.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Apelit, Departamenti për Krime të Rënda ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrojtësit të palës së dëmtuar dhe mbrojtësve të të akuzuarve.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se pretendimet e paraqitura në ankesa për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe për shkelje të ligjit penal, nuk qëndrojnë.

Sipas arsyetimit të vendimit, gjykata e shkallës së parë i ka vërtetuar drejt faktet dhe rrethanat e rastit, ndërsa aktgjykimi është i qartë dhe në përputhje me arsyetimin e tij.

Apeli ka vlerësuar gjithashtu se Gjykata Themelore i ka marrë parasysh drejt rrethanat rënduese gjatë caktimit të dënimeve.

Si rrethana rënduese janë vlerësuar shkalla e lartë e dashjes, motivi i përfitimit material në rastin e Murselit, mënyra e kryerjes së vrasjes në praninë e dy fëmijëve të viktimës, mosha e re e Liridona Ademajt, si dhe fakti se ajo ishte e pambrojtur.

Në mesin e rrethanave rënduese janë përmendur edhe planifikimi i detajuar i vrasjes dhe sjelljet e të akuzuarve pas kryerjes së saj, përfshirë vazhdimin e aktiviteteve të tyre të argëtimit, pa shfaqur shenja dhimbjeje për viktimën.

Ndërkaq, lidhur me ankesat e Prokurorisë dhe të përfaqësuesit të palës së dëmtuar për dënimin e Kushtrim Kokallës, Apeli ka vlerësuar se dënimi prej 30 vjetësh burgim është në përputhje me ligjin.

Sipas Gjykatës së Apelit, për rastet kur një person ndihmon në kryerjen e veprës penale, ligji parasheh shqiptimin e një dënimi më të butë sesa për kryerësin e drejtpërdrejtë. Për këtë arsye, Kokallës nuk ka mundur t'i shqiptohet burgim i përjetshëm.

Gjykata e Apelit ka bërë të ditur se pjesa e aktgjykimit me të cilën ishte refuzuar akuza ndaj Kokallës për moslajmërim të veprave penale apo kryesve të tyre mbetet e paprekur, pasi Prokuroria ishte tërhequr nga kjo akuzë gjatë shqyrtimit gjyqësor.