Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur masën e paraburgimit për dy të pandehurit, Sh.B dhe I.G, të akuzuar për veprën penale të dhunimit ndaj një 23-vjeçareje nga Shqipëria, e cila vuante edhe nga problemet mendore.

Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë së Shtetit, e cila ka paraqitur kërkesën brenda afatit ligjor për caktimin e masës së paraburgimit për 30 ditë në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Pejë.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka bërë të ditur për Dukagjinin se gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e prokurorisë, duke caktuar masën e paraburgimit për dy të pandehurit.

“Prokurori i shtetit, brenda afatit ligjor ka parashtruar  kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit prej 30 dite ne Departamentin e Krimeve te Renda në Gjykatën Themelore ne Pejë, gjatë ditës se enjte. Ditën e premte të javës se kaluar kemi marre konfirmimin nga gjyqtari i procedurës paraprake qe kërkesa e prokurorisë është aprovuar dhe dy te pandehurit të dyshuar për veprën penale “Dhunimi” ju është caktuar masa e paraburgimit”, ka thënë Nikçi për Dukagjinin.

Ndërkaq, sipas tij, viktima ka marrë trajtimin e duhur dhe mbështetje nga Mbrojtësi i Viktimave, psikologu dhe psikiatri.

“Prokurori i shtetit ka dhëne autorizime për kryerjen e veprime hetimore për ndriçimin e plotë të këtij procesi  penale. Ndërkaq, viktima ka marrë trajtimin e duhur, ku ka pasur mbështetje nga Mbrojtësi i viktimave, psikologia dhe psikiatri”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Prokurorisë, Nikçi.

23-vjeçarja, që fillimisht ishte raportuar e zhdukur nga Shqipëria në Kosovë ka ardhur e pashoqëruar. Marrja në pyetje e saj ka qenë problematike, pasi kishte ngecje mentale dhe ngecje në të folur.

Dukagjini kishte marrë vesh se në pamjet e kamerave që hetuesia ka siguruar, vajza shihej duke lëvizur e vetme, dhe po e vetme ka arritur edhe në Kosovë.

Për dhunimin e saj është zbuluar tek pas ekzaminimeve, pasi ajo ka pasur dhimbje të mëdha, por edhe të pashpjegueshme nga ana e saj, për shkak të shëndetit mendor.