Pas lirimit të katër pengjeve sot (e shtune) nga ushtria izraelite të cilët po mbaheshin prej 7 tetorit të vitit të kaluar në Gaza nga Hamasi, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se forcat izraelite kishin vepruar “kreativisht dhe me guxim” për të sjellë në shtëpi katër pengjet.

Netanyahu tutje ka deklaruar se Izraeli nuk do të ndalet derisa ta kthej edhe pengun e fundit në Izrael.

“Ne nuk do të heqim dorë derisa të përfundojmë misionin dhe të kthejmë në shtëpi të gjithë pengjet – të gjallë dhe të vdekur”, ka thënë ai në një konferencë pas takimit me pengjet e shpëtuar.

Operacioni është shpëtimi më i suksesshëm i pengjeve nga ushtria izraelite që nga nisja e luftës më 7 tetor dhe mund të lehtësojë një pjesë të presionit me të cilin po përballet Netanyahu për të arritur marrëveshje armëpushimi dhe për të siguruar lirimin e më shumë pengjeve.

Ministri izraelit i kabinetit të luftës, Benny Gantz pas operacionit për lirimin e katër pengjeve ka shtyrë deklaratën që duhej ta bënte të shtunën, në të cilën pritej të njoftonte dorëheqjen nga qeveria.

Lirohen katër pengje izraelite pas bastisjeve në Gaza