Pavendosmëria evropiane po e detyron SHBA-në ta rishqyrtojë rolin e vet në Bosnje, thotë Ambasada amerikane

Shtetet e Bashkuara po detyrohen ta rishqyrtojnë rolin e vet në Bosnje e Hercegovinë si pasojë e pavendosmërisë evropiane dhe dështimit të Këshillit për Zbatimin e Paqes në Bosnje (PIC) për t’i përmbushur përgjegjësitë e veta, pasi ata nuk arritën ta emëronin një përfaqësues të ri ndërkombëtar për vendin e Ballkanit të enjten, tha Ambasada amerikane në Sarajevë.

Ambasada amerikane tha në një reagim të premten se delegacioni amerikan “u përpoq të arrinte një pajtueshmëri rreth një vizioni të përbashkët dhe kandidatit shumë të kualifikuar të Italisë, diplomatit me përvojë, ambasadorit Antonio Zanardi Landi”.

“Sekretari [i Shtetit Marco] Rubio e përshkroi kandidatin italian para Kongresit si ‘një zotëri për të cilin ne mendojmë se do të bënte një punë të mirë duke ndihmuar në sigurimin e njëfarë stabiliteti për atë pozitë’”, shkroi Ambasada amerikane.

Ajo shtoi s SHBA-ja është e “zhgënjyer” nga dështimi i vendeve evropiane për të arritur pajtueshmëri gjatë mbledhjes së PIC-it për të zgjedhur përfaqësuesin e ri të lartë në Bosnje.

“Pavendosmëria evropiane dhe heqja dorë e PIC-it nga përgjegjësia e vet ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës po i detyrojnë Shtetet e Bashkuara të rishqyrtojnë rolin e tyre në praninë aktuale ndërkombëtare në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha ajo.

Pavarësisht pritjeve që Bosnja ta kishte në fillim të qershorit përfaqësuesin e nëntë të lartë, kjo nuk ndodhi.

Mbledhja dyditore e PIC-it, organ që vendos për drejtuesin e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, OHR, nuk solli rezultat.

Edhe pse në qarqet politike prej ditësh parashikohej se Christian Schmidtin do ta zëvendësonte diplomati italian Antonio Zanardi Landi, për të cilin thuhet se gëzon edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Në vend të një marrëveshjeje, u paralajmërua se për përfaqësuesin e ardhshëm të lartë do të diskutohet sërish në fund të qershorit.

Për analistët, mbledhja e PIC-ut në Sarajevë tregon se dallimet mes qasjeve të SHBA-së dhe BE-së ndaj Bosnjës po bëhen gjithnjë e më të dukshme.

“Ndërsa Uashingtoni e vë theksin te stabiliteti i vendit dhe mbrojtja e interesave të veta investuese, me mundësinë e zvogëlimit të përfshirjes së drejtpërdrejtë politike, Brukseli synon ta përfshijë plotësisht hapësirën e Ballkanit Perëndimor brenda kornizës së tij normative dhe politike”, thotë për Radion Evropa e Lirë analisti politik Mlladen Bubonjiq.

Çfarë ndodhi në mbledhje?

Përfaqësuesi i lartë në Bosnje, Christian Schmidt, tha pas mbledhjes se është arritur një konsensus i përgjithshëm për rëndësinë e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje.

“Këto konsultime do të vazhdojnë gjatë qershorit dhe të gjithë pjesëmarrësit shpresojnë që kandidati për këtë pozitë të zgjidhet me konsensus në ditët në vijim, me synimin që dorëzimi i detyrës të bëhet deri më 30 qershor”, tha ai.

Schmidt tha gjithashtu se kandidati i zgjedhur do ta mbështesë zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit pwr Paqe dhe do t’u ndihmojë autoriteteve të Bosnjës në zbatimin e reformave, përkatësisht të programit “5+2”.

Ky program i obligon autoritetet e Bosnjws të zgjidhin çështjen e ndarjes së pronës shtetërore dhe ushtarake, të zbatojnë vendimin përfundimtar për Distriktin e Bërçkos, të sigurojnë qëndrueshmërinë fiskale të Bosnjws dhe të forcojnë sundimin e ligjit.

“Shpresoj që në javët e ardhshme t’ia dorëzoj detyrën përfaqësuesit të ri të lartë për Bosnje e Hercegovinën”, tha Schmidt.

Sipas Bubonjiqit, mungesa e konsensusit “nuk përbën precedent, pasi edhe më herët ka ndodhur që përfaqësuesit e lartë të mos zgjidheshin njëzëri”.

Ajo që ai e konsideron simptomatike është se situata rreth zgjedhjes së pasardhësit të Schmidtit tregon për “ndarje më të thella” mes aktorëve ndërkombëtarë.

“Këtë herë nuk është arritur as një konsensus minimal dhe po shkohet në një rund të dytë, gjë që tregon se ndarjet tani janë më të theksuara. Është e qartë se ka mospajtime mes vendeve anëtare të BE-së dhe SHBA-së. Kjo është një përplasje e zgjatur interesash mes administratës së re amerikane dhe Bashkimit Evropian, e cila po reflektohet në Bosnje e Hercegovinë”, tha ai.

Bubonjiq paralajmëron se një situatë e tillë hap hapësirë edhe për spekulime të shumta rreth së ardhmes së Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, OHR, përfshirë mundësinë e emërimit të një përfaqësuesi të ri me mandat të kufizuar kohor, apo madje edhe të shuarjes ose transformimit të këtij institucioni.

Duke folur për drejtimin e mundshëm të veprimit të përfaqësuesit të ri të lartë, Bubonjiq thotë se kjo do të varet nga ajo se “forca e kujt do të mbizotërojë në PIC”.

“Mund të ketë një largim të caktuar nga praktika e mëhershme e intervencionizmit të fuqishëm dhe e ndërhyrjes në punët e brendshme, veçanërisht nëse zgjidhet një kandidat i afërt me administratën aktuale amerikane”, tha Bubonjiq.

“Këtë e pamë edhe nga deklarata e fundit e sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, gjatë një seance dëgjimore në Kongres, kur tha se synimi është siguria e vendit, se nuk do të mbështetet shkëputja dhe se ‘nuk u duhen trazira atje’. Kjo tregon se interesi amerikan synon të mbetet i fuqishëm, sidomos përmes angazhimit ekonomik”, tha ai.

Ai kujtoi projektin e Interkoneksionit Jugor, si dhe mundësinë e përfshirjes së investimeve amerikane në projekte infrastrukturore dhe projekte të tjera në Bosnje e Hercegovinë, arsye për të cilën prioritet i SHBA-së është “stabiliteti i vendit”.

“Pamë se, përveç interkoneksionit jugor të gazit, përmendet edhe një bursë kriptovalutash në Bërçko, si dhe paralajmërimet për ambasadorin e ri amerikan në Bosnje e Hercegovinë, i cili ka lidhje me industrinë ushtarake. Kjo tregon se amerikanët po hyjnë gjithnjë e më fuqishëm me kapacitete financiare dhe investuese. Kudo që hyjnë, atyre nuk u përshtatet një situatë e paqëndrueshme”, tha Bubonjiq.

Në anën tjetër, sipas tij, Bashkimi Evropian po përpiqet të sigurojë bashkimin politik dhe normativ të hapësirës së Ballkanit Perëndimor.

“Evropa është e vetëdijshme se Bosnja është pjesë e hapësirës së saj dhe se Ballkani Perëndimor është një lloj ‘barku i butë’, i ndjeshëm ndaj ndikimeve të jashtme, qofshin ato kineze, ruse apo interesat gjithnjë e më të theksuara investuese amerikane. Pikërisht për këtë arsye, BE-ja po përpiqet ta përmbyllë këtë hapësirë, jo vetëm përmes normave dhe rregullave, por edhe në kuptimin e kontrollit mbi interesat politike dhe ekonomike në rajon”, përfundoi Bubonjiq.

Ai thekson se, cilado “rrymë” të mbizotërojë, ekziston një interes i rëndësishëm i përbashkët i të gjitha palëve: sigurimi i paqes dhe sigurisë në Bosnje e Hercegovinë.

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Të fundit nga rubrika