Prishtina nuk duhet t’ia besojë edhe një mandat Përparim Ramës. Ai nuk ka arritur të realizojë asnjë nga premtimet e mëdha. Dizajnet e bukura nuk janë shndërruar në realitet. Ai ka ofruar më shumë arsyetime e viktimizim, sesa punë e përkushtim.
Imer Mushkolaj
Me profesion arkitekt dhe me një karrierë ndërkombëtare, Përparim Rama erdhi nga Londra në Prishtinë para katër vjetësh me shumë premtime për një kryeqytet modern, duke prezantuar dizajne që të linin pa frymë. Pamjet e publikuara nëpër rrjete sociale, ku parqet, sheshet e rrugët e Prishtinës dukeshin si të një metropoli europian, krijuan një entuziazëm tek një pjesë e qytetarëve, të cilët shpresuan se më në fund Prishtina do të dilte nga kaosi urban dhe do të merrte pamjen e një qyteti bashkëkohor.
Por katër vjet më vonë, realiteti është krejt tjetër. Shumica e projekteve që u shpalosën me pompozitet kanë mbetur në letër. Përparim Rama nuk ka arritur të realizojë asnjë nga premtimet e mëdha që i dha. Qyteti nuk ka parë ndryshimet e premtuara. Dizajnet e bukura nuk janë shndërruar në realitet.
Përballë kësaj situate, Rama tashmë ka vendosur të garojë për edhe një mandat, duke kërkuar besimin e qytetarëve për herë të dytë. Por, me çfarë bilanci? Me çfarë arritjesh? Me çfarë justifikimesh? Sepse e vetmja gjë që ka ofruar deri më sot është një sërë arsyetimesh dhe viktimizimi i vazhdueshëm. Ai ka përsëritur se qeveria e ka penguar, se ministritë ia kanë bllokuar projektet, se burokracitë ia kanë “lidhur duart”. Në thelb, ka tentuar të shfaqet si një kryetar me ide brilante, por i ndalur nga “forcat e jashtme”.
Ky diskurs i viktimizimit nuk është i ri në politikën kosovare. Shumë kryetarë komunash, ministra apo kryeministra kanë përdorur të njëjtën kartë: se dikush tjetër i ka penguar. Mirëpo qytetarët e Prishtinës nuk e votuan Ramën që të ankohet, por që të punonte. Ata nuk e zgjodhën që të shfaqte në internet pamje futuristike të qytetit, por që t’i zgjidhte problemet reale të përditshme.
Nëse endesh sot nëpër Prishtinë, e sheh qartë se problemet janë po aty: trafiku i ngarkuar, mungesa e parkingjeve, ndotja e ajrit, mbeturinat e shpërndara, mungesa e hapësirave të gjelbra të mirëmbajtura, kaosi urbanistik. Asnjë nga këto nuk është adresuar me seriozitet. Përkundrazi, qyteti duket më i lënë pas dore se kurrë, ndërkohë që kryetari merret më shumë me arsyetime sesa me punë konkrete.
* * *
Një prej shembujve që tregon qasjen e tij është mënyra si i ka prezantuar projektet. Në vend që të nisë nga gjërat elementare e të realizueshme – si pastrimi i qytetit, rregullimi i shesheve, krijimi i disa parkingjeve funksionale, ai ka zgjedhur të flasë për gjëra “madhështore”. Askush nuk ka thënë se projktet e premtuara nga ai nuk janë të nevojshme apo të dëshirueshme, por kur nuk realizon as minimumin, premtimet grandioze vetëm sa e shndërrojnë qeverisjen në karikaturë.
Rama mund të jetë një arkitekt i mirë, por të jesh arkitekt nuk do të thotë se je menaxher i mirë i qytetit. Qeverisja lokale kërkon vendimmarrje të përditshme, menaxhim të resurseve, koordinim me institucionet e tjera, vendosmëri për të ecur përpara pavarësisht pengesave. Në këtë drejtim, ai ka dështuar. E në vend që ta pranojë këtë dështim dhe të tregojë reflektim, Rama zgjedh rrugën më të lehtë: fajësimin e të tjerëve.
Tani, kur ka nisur të kërkojë një mandat të ri, qytetarët e Prishtinës do ta kenë të vështirë t’i besojnë sërish. Sepse për të marrë besimin, nuk mjaftojnë vizualizimet e bukura dhe fjalët e mëdha. Duhet të kesh treguar në praktikë se je i aftë të qeverisësh. E ky mandat i tij nuk e ka dëshmuar këtë aftësi.
Në fund të fundit, qytetarët nuk jetojnë me rendera kompjuterikë, por me rrugët e bllokuara, me mbeturinat, me problemet e transportit publik funksional, me mungesën e hapësirave publike cilësore. Për këto nuk ka nevojë për dizajne të shtrenjta, por për punë konkrete, për vendime të guximshme, për vizion të mbështetur me veprime reale.
Tash, kur po e kërkon edhe një mandat, Rama duhet së paku t’u shpjegojë qytetarëve pse nuk realizoi asnjë nga premtimet e mëdha. Dhe përgjigjja nuk mund të jetë thjesht “më penguan”. Sepse qeverisja është aftësia për të gjetur rrugëdalje edhe kur pengohesh, për të bërë më të mirën me mundësitë që ke. Përndryshe, gjithçka tjetër mbetet vetëm fasadë – njësoj si dizajnet e bukura që mbetën vetëm në letër.