Falë bashkëpunimit të qytetarëve me Policia e Kosovës, janë zbuluar dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme armësh dhe mjetesh ilegale në dy lokacione në komunën e Zubin Potok.
Sipas njoftimit të Policisë, njësitë e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Veri kanë vepruar mbi informacione të marra nga qytetarët për mjete të dyshuara në fshatin Paljevo.
Rasti i parë ka rezultuar me gjetjen e një pushke të tipit Zastava M59, 3 fishekë 7.62 mm, 165 fishekë 7.92 mm dhe një uniforme ushtarake me simbole të shtetit të Serbisë, të cilat u sekuestruan në një hambar.

Rasti i dytë, në një lokacion tjetër të të njëjtit fshat, ka çuar në zbulimin e një arsenali më të madh në një shtëpi të braktisur. Aty janë gjetur dhe sekuestruar një zollë, dy trombllona, dy granata dore M75, dy armë AK-47, nëntë karikatorë, dhjetëra fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy thika taktike si dhe municion shtesë.
Të gjitha veprimet janë raportuar tek Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Deri më tani nuk ka persona të arrestuar lidhur me këto raste.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ka bërë thirrje që të vazhdojnë të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë në numrin emergjent 192.