Policia e Kosovës, më saktësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, u ka bërë thirrje për ndihmë qytetarëve në kapjen e personit të dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve në Gjakovë.

Në përpjekje për të ndihmuar në identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, Policia ka publikuar fotografinë e tij.

Personi i dyshuar quhet Zef (Viktor) Ademaj dhe është lindur më 23 mars të vitit 1988.

Ai është banor në fshatin Zllakuqan-Klinë. Policia ka vënë në dukje se Ademaj është i dyshuar për përfshirje në rastin e vrasjes së rëndë të dy vëllezërve, e cila ndodhi më 25 qershor të vitit 2023.

Policia e Kosovës po kërkon ndihmën e qytetarëve për të gjetur vendndodhjen e personit të dyshuar.

“Lidhur me rastin ‘Vrasje e rëndë’ (ndodhur me datën 25.06.2023) pranë Sektorit Rajonal të Hetimeve në Drejtorinë Rajonale të Policisë-Gjakovë, janë duke u zhvilluar hetime intensive ku gjatë veprimeve hetimore është identifikuar i dyshuari i lartcekur mbi dyshimin e përfshirjes në rast”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Fotoja e publikuar nga Policia e Kosovës.

Ata i inkurajojnë qytetarët që nëse kanë informacion relevante t’i paraqesin në polici ose në stacionin më të afërt policor.

Deri tani, pavarësisht hetimeve intensive dhe përpjekjeve operative të policisë, personi i dyshuar nuk është kapur.

Policia është e vendosur t’o përfundojë hetimet dhe të sigurojë arrestimin e personit të dyshuar për të sjellë drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.

Dy vëllezërit, Blerim dhe Haxhi Islamaj, mbetën të vrarë mbrëmjen e së dielës në fshatin Madanaj të Gjakovës. Ata dyshohet se i vrau Gjergj Gjokaj, për shkak të një kontesti pronësor.

Edhe vetë i dyshuari përgjatë përleshjes pësoi disa dëmtime, mes tyre edhe një plagosje me armë.

Mirëpo, në policinë e Gjakovës nuk e kishin përjashtuar mundësinë që edhe persona të tjerë të jenë të përfshirë në këtë vrasje.

Sheremet Elezaj, zëdhënës i PK-së në Gjakovë ka thënë se “Hetimet janë duke vazhduar edhe në këto momente. Policia në çdo fazë të hetimit supozon ose ka indikatorë që ka edhe të dyshuar të tjerë”.