Policia e Kosovës ka konfirmuar vrasjen e 35-vjeçares brenda oborrit të QKUK-së në Prishtinë.

Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen  e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e  shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, ka deklaruar Ahmeti.

Gruaja shtatzënë e cila ka humbur jetën, është qëlluar me armë zjarri nga një person i cili dyshohet se është burri i saj. Kështu ka bërë të ditur një anëtar i stafit të QKUK-së për Radio Dukagjini.

Jetën e kanë humbur edhe gruaja edhe fëmija, dyshohet se vdekja e tyre ka qenë e menjëhershme.

Trupi i pajetë po qëndron ende në vendin e ngjarjes.

Vrasja në QKUK: Gruaja e vrarë ishte shtatzënë, u qëllua me armë zjarri