Presidentja thotë se vendimi i BE-së për t’ua hequr vizat serbëve, ligjërisht është i pazbatueshëm në Kosovë
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka kundërshtuar vendimin e BE-së që t’ua heqë vizat qytetarëve serbë të Kosovës e që kanë pasaporta ilegale. Sipas presidentes, ky vendim e dëmton karakterin multietnik të Kosovës. “Vendimi i Këshillit të BE-së sot që të përfshihen në listën e bardhë Schengen, përkatësisht të lejohet qarkullimi pa viza për […]
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka kundërshtuar vendimin e BE-së që t’ua heqë vizat qytetarëve serbë të Kosovës e që kanë pasaporta ilegale.
Sipas presidentes, ky vendim e dëmton karakterin multietnik të Kosovës.
“Vendimi i Këshillit të BE-së sot që të përfshihen në listën e bardhë Schengen, përkatësisht të lejohet qarkullimi pa viza për qytetarët tanë me pasaporta të jashtëligjshme serbe të lëshuara në Kosovë, dëmton qytetarët tanë, Kosovën dhe karakterin multientik të saj si dhe vetë BE-në”, thuhet në përgjigjen e presidentes Vjosa Osmani.
Tutje, Osmani ka argumentuar për dëmet që ia sjell Kosovës ky vendim.
Sipas reagimit të Osmanit, kjo saboton integrimin e komunitetit serb në Kosovë.
“Legjitimimi i këtyre pasaportave të jashtëligjshme nga BE-ja, saboton procesin e integrimit të komunitetit serb në Kosovë, e në veçanti në një periudhë kur një numër i madh i qytetarëve të etnisë serbe në Kosovë po pajiseshin me pasaporta të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, ky vendim ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën dhe për të gjithë qytetarët e saj. Për më tepër, këto dokumente që përmbajnë informacione të paverifikuara, mund të barten nga persona që mund të cenojnë drejtpërdrejt rendin dhe sigurinë edhe në BE”, thuhet në reagim.
Osmani ka theksuar se “Republika e Kosovës nuk merr asnjë përgjegjësi për shkeljet që bartësit e këtyre dokumenteve të jashtëligjshme mund të bëjnë në zonën Schengen”.
Ky vendim, sipas Osmanit, është ligjërisht i pazbatueshëm.
Po ashtu, vendimi, sipas Osmanit, mbështet struktura ilegale të Serbisë në Kosovë.
“Për më tepër, vendimi i BE-së mbështet strukturat dhe prezencën ilegale të Serbisë në Kosovë dhe bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe me standardet e vetë BE-së në fushën e sundimit të ligjit.
Kosova për këtë vendim nuk është konsultuar fare, megjithëse institucionet tona i kanë dërguar vazhdimisht argumentet tona pse ky vendim është i dëmshëm.
Ky vendim i BE-së, ligjërisht është i pazbatueshëm në Kosovë, ndaj pasojat e tij nuk mund t’i marrë Kosova dhe institucionet e saj, sikurse as përgjegjësinë juridike dhe atë politike”, thuhet në reagim.
Në fund theksohet se “E drejta e lirisë së lëvizjes duhet të ekzistojë gjithnjë, por jo në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe përpjekjeve e angazhimit tonë për sundim të ligjit në çdo cep të Kosovës”.
Këshilli i BE-së ua heq vizat serbëve të Kosovës me pasaporta të Serbisë
Ndryshe, Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar të hënën rregulloren që u lejon edhe serbëve të Kosovës që bartin pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese në Beograd, t’u hiqen vizat sikurse të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.















