Procesi i shkarkimit të kryetarëve në veri mund të marrë disa muaj kohë

Të hënën është dita e fundit kur komuniteti serb mund t’i dërgojë nëpër kuvendet komunale peticionet për shkarkimin e kryetarëve nga partitë shqiptare të katër komunave veriore. Por pas kësaj, grupet nismëtare i pret një rrugë e gjatë deri te akti përfundimtar i shkarkimit, duke u bazuar në udhëzim administrativ të hartuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal

Serbët lokalë në Mitrovicën e Veriut mblidhen për të nënshkruar peticionin për largimin e kryetarit shqiptar, Erden Atiq. 17 janar 2024.

Që nga dita e mërkurë, komuniteti serb po mbledh nënshkrime për peticionin me të cilin synojnë t’i shkarkojnë kryetarët e komunave në veri që janë nga partitë shqiptare.

Krejt kjo po bëhet bazuar në udhëzimin administrativ që u hartua enkas për këtë çështje nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në shtator të 2023-tës.

Nënshkruesit e peticionit duhet të jenë 20% të qytetarëve në listën e votuesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Nëse konstatohet që nuk është plotësu numri prej 20% ose nëse ka gabime në fletat që duhet të regjistrohen nënshkruesit, atëherë KQZ ka të drejtë të ju jap 10 ditë afat për përmirësimin e listave ose edhe me shtu numrin e nënshkruesve nëse nuk është plotësu”, ka thënë Besim Mytezani nga MAPL-ja.

Pas këtij procesi, KQZ-ja duhet të organizojë votimin për largimin e kryetarëve aktualë, i cili konsiderohet i suksesshëm vetëm nëse grumbullohen 50 për qind, plus një votë e votuesve potencial në këto komuna.

Mirëpo nëse kjo nuk arrihet, avokati Fitim Klinaku po thotë se procesi mund të zgjasë më shumë.

“Është e rrezikshme që nëse pas zhvillimit të zgjedhjeve për largimin e kryetarit nuk votohet 50 +1 atëherë nisma tjetër nuk mund të zhvillohet më heret se 12 muaj pra si procedurë është mjaftë e gjatë”, ka thënë Klinaku.

Ndërsa, ish-sekretari i Ministrisë së Drejtësisë, Ardian Bajraktari ka bindjen se ky proces do të përfundojë me kohë, pasi sipas tij, Kosova dhe Serbia janë zotuar për këtë gjë.

“Në variantin më të mirë unë vlerësoj se në gjashtë mujorin e parë të këtij viti do të kemi realisht implementim të zotimeve që palët i kanë marrë si zotim në raport me procesin e dialogut në Bruksel”, ka thënë Bajraktari.

Qytetarët e Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve e kanë filluar ditën e mërkurë, ndërsa ata të Zveçanit dhe të Zubin Potokut të premten.

Të hënën, me datë 22 janar është afati i fundit kur të njëjtit ato nënshkrime duhet t’i dërgojnë në Kuvende Komunale përkatëse.

Shija e redaktorit

“Ishim të gatshëm ta japim jetën për ta mbrojtur Kosovën”,...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) me ç'rast ka vizituar ushtarët amerikanë të...

Konkursi për gradimin e policëve – “Të fortët” e Policisë...

Konkursi për gradim të policëve nga “Polic i lartë” në “Rreshter” u mbajt më 4 maj, dhe siç nënkuptohet edhe atë ditë do të...

Trepça triumfon në finalen e parë me rikthim ndaj Yllit

Finalja e parë e “Play-off”-it i ka takuar Trepçës. Mitrovicasit edhe pse ishin duke humbur me 13 pikë dallim, të përkrahur nga tifozët kanë...

Të fundit nga rubrika