Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar për portalin Dukagjini se kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, është intervistuar në kuadër të hetimeve për rastin e shpronësimeve në fshatin Shipitullë.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka bërë të ditur se Thaçi është intervistuar në cilësinë e të pandehurit, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Ushtrim ndikimi”.
“Mund të konfirmojmë se H.Th. është intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të procedurave hetimore që kjo prokurori është duke i zhvilluar në një rast që ka të bëjë me shpronësimet në fshatin Shipitullë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Ushtrim ndikimi’”, ka deklaruar Luta për Dukagjinin.
Ndërkohë, Halil Thaçi ka deklaruar se është intervistuar nga Prokuroria në cilësinë e dëshmitarit.
Thaçi ka thënë se është i kënaqur që Prokuroria ka nisur hetimet për këtë çështje dhe ka kërkuar që rasti të trajtohet deri në fund.
“Është një temë e përgatitur moti nga rivalët e mi politikë. Më kanë përfshirë në shpronësimet e fshatit Shipitullë. Jam i kënaqur që Prokuroria ka nisur hetimet për këtë çështje dhe i bëj thirrje që të merret deri në fund me këtë rast”, ka deklaruar ai.
Ai ka mohuar çdo keqpërdorim dhe ka thënë se ka qenë gjithmonë në mbështetje të banorëve të Shipitullës dhe Hadës, të cilët sipas tij janë përballur me vështirësi si pasojë e procesit të shpronësimeve.