Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka mirëpritur aktgjykimin fajësues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të dhënë edhe në rigjykim, në rastin e njohur si “53-milionëshi”.
Aktgjykimi ka të bëjë me të pandehurit P.L., E.B., N.Sh. dhe B.T., të cilët akuzoheshin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në reagimin e saj, Prokuroria Speciale e ka cilësuar vendimin si një hap të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit dhe garantimin e ndëshkueshmërisë në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.
“Ky vendim paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit, garantimin e ndëshkueshmërisë në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, duke dëshmuar se keqpërdorimi i pozitës zyrtare dhe i parasë publike duhet të ketë përgjegjësi ligjore”, thuhet në reagim.
Edhe në rigjykim për “53-milionëshin”, Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e 8 muaj burgim efektiv
Prokuroria Speciale ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe ndjekjen penale të të gjithë kryerësve të mundshëm.
Ndryshe,
Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në procesin e rigjykimit lidhur me rastin e njohur si “53-milionëshi”, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, të cilët ngarkohen për keqpërdorim të detyrës lidhur me autostradën “Arbën Xhaferi”.
Të akuzuarit u dënuan sikurse në gjykimin e parë- Lekaj me 3 vjet e 8 muaj burgi, Tahiri dhe Shatri me nga 1 vit e 8 muaj burigm, dhe Berisha me 3 vjet e 3 muaj burgim.
Në këtë rast, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, ngarkoheshin nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi është marrë të mërkurën nga trupi gjykues i përbërë nga Violeta Namani-Hajra- kryetare, Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala-Abdyli- anëtarë.
Sipas vendimit, Lekaj u shpall fajtor dhe u dënua me 3 vjet e 8 muaj burgim. Ndaj tij u shpall edhe dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike në kohëzgjatje prej 3 vjet e 6 muaj.
