Protesta e bizneseve, Kurti: Koha e barrikadave ka kaluar, s’do të lejojmë të vendosen të reja
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kritikuar tentimin e bizneseve për të bllokuar rrugët magjistrale si reagim ndaj zbatimit të fazës së dytë të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike. Ai ka theksuar se ky proces nuk është i ri dhe se ndërmarrjet kanë pasur plot tetë vite për t’u përgatitur. Ai ka thënë se […]
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kritikuar tentimin e bizneseve për të bllokuar rrugët magjistrale si reagim ndaj zbatimit të fazës së dytë të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.
Ai ka theksuar se ky proces nuk është i ri dhe se ndërmarrjet kanë pasur plot tetë vite për t’u përgatitur.
Ai ka thënë se kërkesa për shtyrjen e reformës vetëm sa bart koston te qytetarët dhe se nuk është e drejtë që 1% e bizneseve të mbrohen në kurriz të 99% të tjerëve.
“Nuk mund të mbrojmë 1% të bizneseve në kurriz të 99%. Koha e barrikadave ka kaluar. I kemi hequr kudo ku kanë qenë dhe nuk do të lejojmë të vendosen të reja. U bëjmë thirrje bizneseve të mendojnë në mënyrë të mençur dhe ne do t’i mbështesim”, ka deklaruar Kurti në mbledhjen e Qeverisë në detyrë të enjten.
Kurti ka shtuar se qeveria është e gatshme të mbështesë bizneset që veprojnë në mënyrë të mençur dhe në përputhje me ligjin.
“Derisa po flasim këtu, Oda Ekonomike që duhej të qëndronte pranë bizneseve për t’u përballur me realitetin e ri, sot po tenton të bllokojë rrugët magjistrale me kërkesën për shtyrjen e zbatimit të liberalizmit të tregut. Shtyrjen e vendimit po e kërkojnë me justifikimin se për një vit do të përgatiten duke injoruar faktin se nga ana e tyre nuk është bërë as një përgatitje për 8 vitet e shkuara përderisa është shtyrë nga viti në vit. Të dashur qytetarë, ajo çka nuk po iu tregon Oda Ekonomike është se kërkesa e tyre për një vit shtyrje nuk e zgjidh problemin, por vetëm e bart koston e energjisë te fatura e secilit prej jush”, ka deklaruar ai.
Ai ka kujtuar se Ligji për energji elektrike është miratuar që në vitin 2016, ndërsa faza e parë e liberalizimit nisi në vitin 2017.
“Ndërmarrjet në Kosovë, prej të cilave 300 prej tyre si prodhuese dhe shpenzuese më të mëdha, preken më së shumti nga zbatimi i kësaj reforme, ne i kuptojmë brengat e tyre, por duhet theksuar se ky proces nuk është i befasishëm. Ligji për energji elektrike është miratuar që në vitin 2016.Faza e parë e liberalizimit ka filluar në vitin 2017, me daljen e tri ndërmarrjeve të mëdha ën treg, ndërsa faza e dytë është shtyrë disa herë në 8 vitet e fundit”, ka thënë mes tjerash Kurti.















