Provat e AKI-së dhe Policisë: Sali u rekrutua nga BIA përmes zyrtarit Zheljko Matoviq

Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu, ka deklaruar se provat e siguruara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në kanë krijuar dyshim të bazuar se Fehim Sali ishte rekrutuar nga BIA përmes zyrtarit Zheljko Matoviq. Sipas Kodraliut, Sali vetë ka pranuar se ishte rekrutuar dhe kishte pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të BIA-s.

Provat e siguruara në bashkëpunim mes Policisë së Kosovës dhe Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI) kanë krijuar dyshimin e bazuar se Fehim Sali ishte rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent Serb – BIA, përmes zyrtarit të këtij shërbimi, Zheljko Matoviq.

Sali, mësimdhënës nga Dragashi, është arrestuar më 13 gusht në pikën kufitare në Merdare, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të spiunazhit.

Prokuroria Speciale ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij, ndërsa prokurori i rastit, Bekim Kodraliu, ka deklaruar se hetimet ndaj Salit kanë zgjatur më shumë se një vit dhe janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe AKI-në.

“Sot, Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Fehmi Sali. Nga provat që kemi siguruar nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë edhe me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, kemi vërtetuar dyshimin e bazuar se i njëjti ka qenë i rekrutuar në Shërbimin Inteligjent Serb – BIA, më konkretisht nga zyrtari i saj, Zheljko Matoviq”, ka deklaruar Kodraliu.

Sipas Prokurorisë, gjatë procedurës për caktimin e paraburgimit, edhe vetë Sali ka deklaruar se ishte rekrutuar dhe se kishte pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të BIA-s.

Çfarë thuhet në dosjen e Prokurorisë?

Në dosjen e Prokurorisë Speciale thuhet se Sali, nga një periudhë e pacaktuar deri në arrestimin e tij më 13 gusht 2026, dyshohet se ka vepruar në territorin e Kosovës dhe Serbisë në cilësinë e personit të rekrutuar nga BIA.

Sipas Prokurorisë, ai dyshohet se ka ofruar ndihmë të vazhdueshme për shërbimin inteligjent serb, duke vepruar sipas urdhrave dhe udhëzimeve të një zyrtari të lartë të BIA-s.

Në kuadër të veprimeve të dyshuara, Sali pretendohet se ka ofruar informacione lidhur me situatën politike në Kosovë, si dhe ka identifikuar zyrtarë të AKI-së. Sipas dosjes, disa prej tyre janë fotografuar nga i arrestuari me qëllim të identifikimit.

Prokuroria pretendon gjithashtu se Sali ka ofruar informacione për persona të ndryshëm, të cilët më pas dyshohet se i ka propozuar te zyrtari i BIA-s si objektiva të mundshme për kontaktim dhe rekrutim.

Në dosje përmenden edhe kontakte me persona me ndikim politik dhe shoqëror në Serbi dhe Kosovë, përfshirë persona nga komunitetet jo shumicë.

Sipas Prokurorisë, Sali dyshohet se ka ndërmjetësuar edhe për çështje dhe dokumente të lidhura me institucionet e Serbisë dhe se u ka dhënë disa personave udhëzime lidhur me mënyrën e veprimit politik.

Prokuroria vlerëson se këto veprime dyshohet se janë kryer me qëllim të sigurimit, mbledhjes dhe përcjelljes së informatave me interes për BIA-n dhe realizimit të interesave të këtij shërbimi inteligjent.

Në kuadër të hetimeve, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë kryer edhe një bastisje në pronën e të dyshuarit.

Gjatë bastisjes janë sekuestruar telefona dhe një shumë parash. Në shtëpinë e Salit, sipas të dhënave të përfshira në rast, janë gjetur rreth 40 mijë euro.

Prokuroria dyshon se këto para mund të përbëjnë dobi pasurore të përfituar përmes kryerjes së veprës penale.

Prokurori Kodraliu ka thënë se ndaj Salit janë zbatuar edhe masa të veçanta hetimore dhe se gjatë hetimeve janë identifikuar kontakte të tij me zyrtarë vendorë dhe autoritete të Serbisë.

Të fundit nga rubrika