Pushteti dhe PDK-ja fajësojnë njëra-tjetrën për dhunën në Kuvend

Dhuna zuri vend në Kuvendit e Republikës së Kosovës në seancën e së enjtes. Reagimet nga krerë të shtetit, fqinj e mediave ndërkombëtare nuk munguan e njëherit, të pakta nuk qenë as akuzat e deputetëve të pushtetit e atyre të PDK-së ndaj njëri-tjetrit

Janë parë me kritika ndaj njëri-tjetrit e jo rrallëherë edhe me ofendime, por deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës morën vëmendjen e vendit dhe të mediave ndërkombëtare gjatë seancës së të enjtes. Megjithatë, jo për të mirë.

Shkak ishte dhuna e treguar në Kuvend. Deputetë të pushtetit e ata të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) u përleshën mes vete në seancën e së enjtes gjatë kohës kur kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, fliste për situatën në veri.

Nisi me një fotografi të vendosur nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, fotografi kjo e kryeministrit Albin Kurti e shoqëruar me një animacion të personazhit vizatimor Pinokio në foltore. E njëjta u shqye nga zëvëndëskryeministri Besnik Bislimi, veprim i cili nxiti veprimin e deputetit të PDK-së, Mergim Lushtaku.

Ky i fundit spërkati me ujë kryeministrin, veprim të cilin tentoi ta ndalonte ministri i Financave, Hekuran Murati. Lushtaku nuk kurseu as zëvëndëskryeministrin Bislimi, por më pas, ky i fundit goditi me shishe Lushtakun për të filluar kështu një përleshje, e cila mblodhi në mesin e sallës një pjesë të deputetëve.

Më vonë, u bë e ditur se deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, është ftuar nga Prokuroria për intervistim pas skenave të dhunës në Kuvendin e Kosovës. Me të, edhe deputeti Hajdar Beqa.

Se kush e nisi e pse erdhi deri te përleshja, pushteti e PDK fajësojnë njëra-tjetrën për dhunën në Kuvend.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një shkrimi të gjatë në Facebook, ka komentuar përplasjen në mes të deputetëve të PDK-së dhe atyre të VV-së dhe ministrave të kryeministrit Albin Kurti, të cilët po mbronin.

Ajo përplasjen e PDK-së e ka cilësuar si “sulm të organizuar” ndaj Qeverisë së Kosovës, duke shtuar se Qeveria e Kurtit nuk ka asnjë ministër apo zëvendësministër të kontrolluar nga Beogradi, për dallim nga qeveritë e kaluara.

Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për situatat e dhunës që u shfaqën këtë të enjte në kuvend.

Dhuna, sipas tij, ishte e orkestruar nga Qeveria kundër deputetëve të PDK-së.

“Dhuna qeveritare në mbrojtje të Radojçiqit! Sot, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës janë ballafaquar me një orkestim të pastër nga ana e Qeverisë, që, fatkeqësisht, ishte i bazuar në sulme fizike dhe nxitje të dhunës”, ka thënë ai.

Sipas të parit të PDK-së, sulmet e Qeverisë ndaj opozitës kanë për qëllim që t’i mbulojnë skandalet e tyre, siç është komunikimi i Mimoza Kusari – Lilës me Milan Radojçiqin.

Kurse arsyeja e dytë, sipas Krasniqit, është që Qeveria “Të mbulojë tërheqjen e turpshme e të fshehtë të Besnik Bislimit nga veriu i Kosovës – këtij ‘profesori’ që provokoi, nisi dhe kontribuoi pareshtur në sulmet fizike të Qeverisë ndaj deputetëve tanë”.

Krasniqi tha se PDK-ja nuk do të ndalet “për asnjë moment, derisa e vërteta e plotë e koketimit të kësaj Qeverie me kriminelin Radojçiq të merret vesh plotësisht”.

Akuza ndaj partisë në pushtet erdhën edhe nga deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra. Ajo deklaroi se Qeveria po përpiqet të tërheqë vëmendjen ashtu që të mos japë llogari e përgjegjësi për audio-incizimet e Kusari-Lilës.

Pas dhunës në Kuvend, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u ka bërë thirrje deputetëve të Kosovës që ta marrin punën me qetësi dhe bashkërisht të tejkalohet kjo ditë, të cilën ai e quan të vështirë.

Në një fjalim në foltoren e Kuvendit, Konjufca ka theksuar se ndonëse fjalët më të rënda ndaj njëri-tjetrit nuk janë kursyer asnjëherë, ato sërish mbesin vetëm fjalë, por veprimet si sulmi fizik nuk trajtohet vetëm në kuvend, por edhe nga organet e rendit.

Ai ka theksuar se nuk duhet bërë përgjegjës për diçka që, siç thotë kryetari i kuvendit, çon në faza krejtësisht të paparashikueshme.

“Unë bisedova me kryeministrin, ai po heq dorë nga fjala e tij që e pati dhe nëse ne si deputet e kemi një mirëkuptim me njëri-tjetrin për të vazhduar në një pikë tjetër për të vazhduar te pyetjet parlamentare, atëherë këtë mendoj që qytetarët e presin nga ne dhe ato të tjerat nuk na takojnë neve si deputetë, por organeve. Ju lutem si kryetar për këtë kapitull të ri që duhet të hapet pas kësaj dite të vështirë, pas atyre veprimeve të papranueshme, urojmë që të mos përsëriten, nëse e kam këtë mirëkuptim prej të gjithë deputetëve mirë, nëse jo, atëherë do të ishte një ogur i zi për Kosovën, i cili na çon në faza krejt të paparashikueshme edhe për Kosovën edhe për qytetarët. Të mos bëhemi përgjegjës për diçka që nuk do ta donim ta shihnim vendin tonë në atë gjendje”, shtoi më tej ai.

Pas rreth 3 orësh pauzë, deputetët e Kuvendit të Kosovës u rikthyen në kuvend për ta vazhduar seancën plenare, e cila paraprakisht u ndërpre për shkak të përleshjeve fizike mes deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë së Kosovës.

Megjithatë, deputetë të opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit për të penguar vazhdimin eseancës plenare, gjë e cila kundërshtohej dukshëm nga opozita parlamentare.

Në ndërkohë, PDK paraqiti dy pankarta përqeshëse me simbolikën e karakterit të animuar Pinokio.

Në këto pankarta shihet fytyra e kryeministrit Albin Kurti me hundë të zgjatur, me mbishkrimin “Zdravo”, si referencë e audio-incizimeve të Mimoza Kusarit dhe Slavko Simiqit.

Njëjtë në pankartë është paraqitur edhe Mimoza Kuari – Lila.

Megjithatë, kjo nuk ishte pankarta  e vetme e vendosur në Kuvend.

Në fillim të seancës së Kuvendit, përkatësisht kur mori fjalën deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ishin dy deputete të PDK-së, të cilat vendosën “Pankartën Zdravo” në foltoren e Kuvendit.

Ky veprim dhe vetë fjala në pankartë u referohet përgjimeve të publikuara të telefonatave të shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, me nënkryetarin e Listës Serbe, Slavko Simiq.

Ndërkohë, pavarësisht kërkesave të opozitës për anulim të seancës, kryeparlamentari Glauk Konjufca e ka filluar seancën e jashtëzakonshme në kushte të palakmueshme.

Kuvendi arriti të miratojë ligjin për produkte medicinale, atë për themelimin e institucionit për krimet e kryera gjatë luftës dhe ligjin për pagën minimale.

Lidhur me dhunën në Kuvend, reagimet nga jashtë nuk kanë qenë të pakta.

Përdorimi i dhunës fizike si mjet për t’i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’u bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë, ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik”., ka deklaruar ajo.

Nga ana tjetër, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se ndonëse dallimet në demokraci mund të jenë të forta, ato duhet zgjidhur me anë të diskursit.

Me anë të një postimi në Twitter, Hovenier ka deklaruar se dhuna nuk duhet të paraqesë një mjet për të shprehur mosmarrëveshjet.

“Është për të ardhur keq të shoh se çfarë ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës. Do të doja të mos kisha nevojë ta thosha këtë: përdorimi i dhunës nuk është kurrë një mjet i pranueshëm për të shprehur mosmarrëveshje. Në çdo demokraci shpesh ka dallime të forta. Por dallimet duhet të zgjidhen përmes diskursit – një qëllim themelor i çdo legjislativi të demokracisë”, ka shkruar Hovenier.

Përleshja në mes të pozitës dhe opozitës ka tërhequr edhe vëmendjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Me anë të një postimi në Twitter, ky i fundit e ka quajtur “të turpshme” sjelljen e opozitës, gjersa uroi që ajo të distancohej nga veprime të kësaj natyre.

Kryeministri Rama e ka quajtur formën e kundërshtimit të shprehur në Kuvend nga opozita si një të atillë në dëm të vendit.

Kuvendi i Kosovës mori vëmendjen e gazetës prestigjioze “The Guardian”

Kjo gazetë ia kushtoi një tekst përplasjes fizike në mes të përfaqësuesve të pushtetit dhe opozitës, e cila ndodhi kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po mbante fjalim për situatën në veri.

Shija e redaktorit

“Ishim të gatshëm ta japim jetën për ta mbrojtur Kosovën”,...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) me ç'rast ka vizituar ushtarët amerikanë të...

Konkursi për gradimin e policëve – “Të fortët” e Policisë...

Konkursi për gradim të policëve nga “Polic i lartë” në “Rreshter” u mbajt më 4 maj, dhe siç nënkuptohet edhe atë ditë do të...

Trepça triumfon në finalen e parë me rikthim ndaj Yllit

Finalja e parë e “Play-off”-it i ka takuar Trepçës. Mitrovicasit edhe pse ishin duke humbur me 13 pikë dallim, të përkrahur nga tifozët kanë...

Të fundit nga rubrika