Presidenti rus Vladimir Putin e ka ftuar Ukrainën të marrë pjesë në “bisedime të drejtpërdrejta” më 15 maj, disa orë pasi udhëheqësit evropianë i kërkuan Moskës të binte dakord për një armëpushim 30-ditor.

Në një fjalim të rrallë televiziv nga Kremlini vonë natën, Putin tha se Rusia po kërkonte “negociata serioze” që synojnë “të ecin drejt një paqeje të qëndrueshme dhe të fortë”, raporton BBC përcjell Dukagjini.

Më herët të shtunën, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, udhëtoi për në Kiev me homologët e tij nga Franca, Gjermania dhe Polonia për të ushtruar presion mbi Rusinë që të angazhohet për një armëpushim pa kushte, duke filluar nga e hëna.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha më vonë se Moska do të “duhet ta mendojë mirë këtë” – por paralajmëroi se “përpjekja për të na bërë presion është mjaft e padobishme”.

Në deklaratën e tij, Putin tha se nuk mund ta “përjashtonte” mundësinë që bisedimet të rezultonin në një marrëveshje midis Rusisë dhe Ukrainës për “një armëpushim të ri”. Por ai nuk iu drejtua drejtpërdrejt thirrjeve për një armëpushim 30-ditor.

Udhëheqësi rus tha se bisedimet e propozuara duhet të mbahen në qytetin turk të Stambollit, siç kanë ndodhur më parë, dhe se ai do të flasë me Presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, të dielën për të diskutuar detajet.

Kievi nuk i është përgjigjur ftesës.

Kryeqyteti ukrainas priti të shtunën Sir Keir, Emmanuel Macron të Francës, Friedrich Merz të Gjermanisë dhe Donald Tusk të Polonisë, të cilët përbëjnë pjesë të “koalicionit të të vullnetshëm” – një grup vendesh të angazhuara për të mbështetur Ukrainën.

Së bashku me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ata morën pjesë në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Udhëheqësit paralajmëruan se sanksione “të reja dhe masive” do të vendosen në sektorët e energjisë dhe bankave të Rusisë nëse Putini nuk do të bjerë dakord për armëpushimin 30-ditor pa kushte “në ajër, në det dhe në tokë”.

Ata thanë gjithashtu se e kishin diskutuar propozimin me Donald Trump. Sir Keir më vonë i tha BBC-së se presidenti amerikan ishte “absolutisht i qartë” se sugjerimi i tyre për një armëpushim të menjëhershëm ishte një “kërkesë që duhet të përmbushet”.

Pas takimit, Zelensky falënderoi udhëheqësit e mbledhur për “mbështetjen” e Ukrainës.

“Sot do të përqendrohemi në mënyrën e ndërtimit dhe garantimit të sigurisë reale dhe të qëndrueshme”, tha ai.

Duke iu përgjigjur propozimit, Peskov i Kremlinit tha: “Është një zhvillim i ri. Por përpjekja për të na bërë presion është mjaft e padobishme.”

Mediat shtetërore ruse e cituan gjithashtu atë të thoshte se deklaratat nga Evropa ishin “përgjithësisht konfrontuese në natyrë dhe jo të destinuara për të ringjallur marrëdhëniet tona”.

Moska ka thënë më parë se përpara se të shqyrtojë një armëpushim, Perëndimi duhet së pari të ndalojë ndihmën ushtarake për Ukrainën.