Në mbledhjen e 262-të të mbajtur sot në mënyrë elektronike, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka marrë dy vendime të tjera.

Qeveria ka themeluar Këshillin Organizativ që do të merret me organizimin e ceremonisë mortore për ish-kryeministrin Bujar Bukoshi.

Ceremonia do të zhvillohet nën patronatin e kryeministrit në detyrë dhe përfshin: mbledhjen komemorative që do të mbahet nesër, homazhet në hollin e Kuvendit të Kosovës dhe bartjen e arkivolit nga Forcat e Sigurisë së Kosovës drejt Kompleksit të Dëshmorëve në Velani.

Po ashtu, Qeveria ka ndarë 10 mijë euro për familjen Bukoshi.

“Themeluar Këshillin Organizativ për varrimin e ish-kryeministrit Bujar Bukoshi, i cili nën patronatin e Kryeministrit në detyrë merr përgjegjësinë që të organizojë ceremoninë mortore që përfshinë mbledhjen komemorative që do të mbahet nesër, homazhet në hollin e Kuvendit të Kosovës dhe bartjen e arkivolit nga Forcat e Sigurisë të Kosovës për në Kompleksin e Dëshmorëve në Velani. Në kuadër të këtij vendimi, Familjes Bukoshi i ndahen 10,000 euro”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

 Kërkesa për autorizim nga Presidentja për marrëveshje me SHBA-në

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit për nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë për Bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Marrëveshja do të nënshkruhet mes Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës dhe Departamentit amerikan të Mbrojtjes.