Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, u ka bërë thirrje qytetarëve që ta respektojnë prokurorin Blerim Isufaj, pavarësisht deklaratave që mund të vijnë nga pushteti dhe figurave shtetërore.

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, Quni ka thënë se njihet me Isufajn qysh nga kohërat e vështira dhe se një person si ai i duhet Kosovës.

“Këtu në Kuvend, në debate dhe intervista nga zyrtarët e lartë shtetërorë, të mbështetur edhe nga analistët lojalë të partisë në pushtet, është përfolur prokurori i Shtetit, Blerim Isufaj, duke e cilësuar atë si të padenjë për detyrën të cilën ai e ushtron. Ai përkundër mandatit të tij dhe autorizimeve ligjore, u përfol dhe u etiketua si shantazhues, sabotues, edhe atë tekanjoz, i kapur për bishti deri te përmasat e një mostrumi antikombëtar e antishtetëror”, ka thënë Quni në Kuvend.

“Kur përgjithësimet e tilla bëhen nga zyrtarët e lartë shtetërorë, ato bëhen të besueshme për një numër të madh qytetarësh. Do të ishte e besueshme edhe për mua, po të mos e njihja personalisht Isufajn. Me përgjegjësi e them se e njoh mirë, më mirë se të gjithë ju që jeni prezent. E njoh që nga kohërat e vështira. Jam dëshmitar se si Blerimi me uniformën e UÇK-së i doli Zot atdheut. I disiplinuar, i motivuar dhe i përgaditur, ishte shembull i mirë i bashkëluftëtarit. Asnjë moment trishtimi, madje edhe kur e shihte vdekjen me sy…si fitimtar iu rikthye familjes. Megjithatë, ai vazhdoi një luftë tjetër kundër kriminelëve po aq të rrezikshëm për jetën e tij, në mbrojtje të rendit dhe ligjit… Të nderuar qytetarë, përkundër asaj që Blerimi nuk parapëlqehet dhe sulmohet nga autoritetet më të larta shtetërore, ju vazhdoni ta respektoni atë, sepse për njerëz të tillë ka nevojë Kosova, të pakompromis kundër të keqes dhe të paluhatshëm në të drejtën e tyre”, ka shtuar deputeti i LDK-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjersa ka folur rreth rastit të arrestimit të kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, në prill të këtij viti, ka thënë se në të kaluarën ka pasur “keqpërdorime marramendëse”, mirëpo sipas tij, ato asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë.

Ai tha se arrestimi i Krasniqit e gëzoi opozitën e se në Prokurori ekziston disponim negativ ndaj Qeverisë, gjë e cila, sipas Kurtit, lidhet me prokurorin Isufaj.

Kurti: Arrestimi i Krasniqit e gëzoi opozitën, në Prokurori ekziston disponim negativ ndaj Qeverisë