Reagon Kurti për arrestimin e ish-policit Arbnor Spahiu: Institucionet tona janë angazhuar maksimalisht që ai të lirohet sa më parë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shpërndarë në Facebook njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës(MPJD) lidhur me arrestimin e ish-policit Arbnor Spahiut nga autoritetet e Serbisë. Ai këtë reagim e ka bërë pas akuzave nga liderët e partive ish-opozitare se nuk ka reaguar dhe nuk ka ndërmarrë masa lidhur me këtë arrestim […]
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shpërndarë në Facebook njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës(MPJD) lidhur me arrestimin e ish-policit Arbnor Spahiut nga autoritetet e Serbisë.
Ai këtë reagim e ka bërë pas akuzave nga liderët e partive ish-opozitare se nuk ka reaguar dhe nuk ka ndërmarrë masa lidhur me këtë arrestim madje duke e akuzuar për reagime e veprime selektive.
Kurti theksuar se institucionet e Kosovës janë angazhuar maksimalisht për lirimin e tij sa më parë.
“Prej momentit të arrestimit të shtetasit tonë, Arbnor Fatmir Spahiu, nga autoritetet serbe në pikën kufitare Hungari-Serbi, institucionet tona janë angazhuar maksimalisht që ai të lirohet sa më parë”, ka shkruar ai.
Tutje Kurti ka kritikuar sjelljen e jashtëzakonshme të Serbisë ndaj qytetarëve kosovarë dhe deklaron se kjo nuk duhet të pranohet si normale.
Nga ana tjetër sot pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës lidhur me mosreagimin ndaj arrestimit të ish-policit, Arbnor Spahiu nga autoritetet serbe.
Krasniqi tha se Qeverisë i kujtohet Policia vetëm kur iu duhet për ndërhyrje dhe për mburrje, por jo në raste të tilla.
“Është e papranueshme që një qytetar i Kosovës të mbahet padrejtësisht nga regjimi serb, ndërkohë që institucionet tona heshtin. Qeveria që dikur i lavdëronte policët si heronj, sot nuk gjen guximin të thotë asnjë fjalë për ta. Të paktën një fjalë ngushëllimi për familjen, apo një përpjekje për lirimin e tij”, ka deklaruar Krasniqi.
Po ashtu, simboli i protestës para Kuvendit, avokati Arianit Koci ka reaguar publikisht përmes Facebook-ut lidhur me mos reagimin qeveritar në këtë rast duke e quajtur si gabim pasi që kryeministri Kurti kishte protestuar publikisht kur ishte ndaluar një ish-deputet i Vetëvendosjes nga ana e policisë serbe, kurse tani kur edhe u paraburgos një ish-polic i Njësisë Speciale, ende asnjë fjalë.















