Rezultatet preliminare: Lëvizja Evropa Tani fiton zgjedhjet në Mal të Zi

Lëvizja Evropa Tani (PES) e Malit të Zi fitoi 25.5% të votave në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit, sipas rezultateve preliminare të Qendrës për Monitorim dhe Kërkim

Foto: Reuters

Lëvizja Evropa Tani (PES) e Malit të Zi fitoi 25.5% të votave në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit, sipas rezultateve preliminare të Qendrës për Monitorim dhe Kërkim (CEMI), që bazohen në projeksionin e rezultateve nga një mostër e qendrave të votimit.

Partia pro-evropiane Demokratike e Socialistëve (DPS), e cila udhëhoqi Malin e Zi midis viteve 1990 dhe 2020, doli e dyta me 23.8% të votave.

Aleanca konservatore Për të Ardhmen e Malit të Zi, e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus, fitoi 14.7%.

Sondazhet para votimeve ishin të përafërta me rezultatet preliminare.

Një koalicion tjetër pro-BE-së që përfshin Partinë Demokratike dhe lëvizjen URA të kryeministrit në largim, Dritan Abazoviq, doli në vendin e katërt me 12.3% të votave, sipas CEMI-s në bazë të 90.5% të votave të numëruara.

Pesëmbëdhjetë parti dhe koalicione garuan për 81 ulëse të Parlamentit.

Sipas të dhënave të para në këto zgjedhje kanë votuar rreth 56 për qind të votueseve me të drejtë vote e që, sipas Qendrës për Tranzicion Demokratik në Mal të Zi, shënon rënie të numrit të votuesve prej 20 për qind krahasuar me zgjedhjet e mëparshme parlamentare të vitit 2020. Të drejtë vote kanë pasur 542.468 qytetarë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Filip Axhiq, tha se dita e zgjedhjeve kaloi si në ‘shtetet më të zhvilluara demokratike’.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se pret që qeveria e re të formohet shpejt, “në mënyrë efikase dhe në përputhje me vullnetin elektoral të qytetarëve”.

Millatoviq tha se qeveria e re duhet të vazhdojë rrugën e reformave dhe ta përshpejtojë atë në disa fusha dhe mbi të gjitha të përmirësojë standardin e jetesës së qytetarëve, sundimin e ligjit dhe përshpejtimin e integrimit evropian.

Ndërkohë ish-presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, në një deklarim për media gjatë ditës tha se pret që qeveria në Mal të Zi të formohet sa më parë.

“Ne kemi tri vjet që jetojmë në një kohë konfuze, është pothuajse e pashmangshme në jetën e çdo njeriu, çdo vendi, një fazë normale dhe asgjë më shumë se kaq, mendoj se fotografia tashmë është pastruar pjesërisht, mendoj se do kenë mundësi të formojnë qeveri”, thotë Gjukanoviq.

Partitë dhe koalicionet kanë dhënë premtime të ndryshme përfshirë jetë më të mirë, paga dhe pensione më të larta, blerje të favorshme të banesave dhe rritje të përfitimeve sociale./REL

 

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika