Në seancën e sotme në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshmitari i parë, zyrtari policor Alban Rashiti, ka dhënë deklaratën e tij për sulmin që ndodhi në shtator të vitit 2023 në fshatin Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Rashiti, pjesëtar i Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë, ka treguar se gjatë patrullimit kishin vërejtur kamionë të vendosur në urë dhe ndriçim jo të zakonshëm në zonë, që sipas tij, tregon se sulmi ishte i përgatitur më parë.

Ai ka përshkruar momentin kur është ndjerë një shpërthim i fuqishëm, duke u plagosur në krah, dhe menjëherë pas tij një shpërthim i dytë që e ka goditur përsëri.

Pas këtyre, kanë filluar të shtënat me armë zjarri nga shumë pozicione në fshat.

“Momenti që  ka ardhur rreshteri Afrim Bunjaku jemi përshëndet në  ato qaste jam largu 3 -4 metra me larg nga ana e majtë ka ndodhe një shpërthim i papritur menjëherë kam kuptuar qe jam plagosur nga ana e majtë. Shpërthim shume i madh nuk e kem dit ka ardh një eksplodim kur e kam kthyer kokën kam parë tym dhe e kam pa veten që  jam i goditur ne krah jam mundu me u shmang me kalu në  pozitë mbrojtëse afër një kamionete menjëherë ka ndodhur një shpërthim tjetër ….që  ka goditur trupin tim. Çështje sekondi kanë  filluar gjuajtjet me armë  zjarri.. kur kanë  filluar gjuajtjet aty kem parë  se ka gjuajtje prej tërë fshatit nga dhjetëra pozicione me armë  të  ndryshme”, ka deklaruar ai.

Rashiti ka theksuar se ata kanë nisur të kundërpërgjigjen me zjarr pasi lokalizuan sulmuesit, por në të njëjtën kohë ka parë se rreshteri Bunjaku kishte mbetur i plagosur rëndë, i shtrirë në tokë me gjak nga qafa dhe fytyra.

Ai ka treguar se ka kërkuar ndihmë për të sjellë një veturë që të mund ta tërhiqnin Bunjakun nga zona e rrezikshme, por gjatë evakuimit automjeti është qëlluar disa herë, duke e bërë të pamundur largimin e menjëhershëm.

“Në  ato momente kemi filluar duke kthyer zjarrin posa e kemi lokalizuar nga po vijnë gjuajtjet mirëpo në  anë n e majte time kam vërejtur që  tashmë  rreshteri Afrim Bunjaku ka mbetur i shtrirë  në  shpinë  pozicioni si ishte dhe i gjakosur nga qafa në  fytyre dhe nga Mirsadi kemi kërkuar nga Çlirimi ta sjelle veturën aty dhe të e tërheq rreshterin nga ai vend sepse aty kishte gjuajtje gjatë  tërë  kohës… ashtu Çlirimi ka dhez veturën dhe është nis me ardh te unë posa ka dal ne dritë e kane goditur gjuajtje te shumta dhe e kane bere veturën te palëvizshme”, ka deklaruar ai.

Rashiti në dëshminë e tij ka deklaruar se grupi me të cilin u përballën ishte i strukturuar mirë dhe kishte formacion ushtarak, çka shihej edhe nga armët e përdorura që kërkonin njohuri të lartë për t’u përdorur.

Ai ka shtuar se lëvizjet e tyre ishin të monitoruara me një dron.

“Nga përvoja dhe trajnimet që kemi, e dimë se këto përgatitje, formacionet dhe armët nuk i kanë personat apo grupet e thjeshta. Përdorimi i tyre kërkon trajnime dhe njohuri shumë të mira. Gjithçka ka qenë e koordinuar dhe ka pasur një plan shumë të përgatitur”, ka deklaruar Rashiti.