Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se shkak për shifrat rekord të importeve nga Serbia për vitin 2020 dhe 2021 ka qenë dialogu mes dy vendeve.

Ai ka shtuar se rritja e importeve është bërë vetëm pasi Qeveria e tij strategjikisht është fokusuar në marrëveshjen që po përpiqet të bëjë me Serbinë për njohje reciproke.

“Është për të ardhur keq, por jemi fokusuar strategjikisht në këtë marrëveshjen e madhe që po dëshirojmë ta bëjmë me Serbinë për njohje reciproke”, ka deklaruara ai.

Kreu i ekzekutivit ka deklaruar se nuk ka reciprocitet të plotë me Serbinë dhe kjo është duke u menduar, sipas tij, të bëhet pas marrëveshjes përfundimtare.

“Ashtu është, ne ende nuk e kemi raportin reciprok me Serbinë, po mendojmë që këtë ta bëjmë në raport të plotë. Kemi përgatitur doganat e ATK-në për gjithë këtë, Por, nga viti i kaluar sidomos nga vera e viti të kaluar ne kemi hyrë në fazë të re ku po bëjmë kornizë të marrëveshjes, fillimisht në Bruksel më pastaj me iniciativën franko-gjermane në mënyrë që ta kemi një marrëveshje totale. Pra, jemi përqendruar në një marrëveshje totale kur do të duhej të rregullohen edhe këto marrëdhëniet reciprok, ka thënë tutje ai.

Gjithashtu, gjatë intervistës në Klan Kosova, Kurti ka deklaruar se nuk do ta lejoj vizitën e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, në Kosovë.

Sipas tij, Vuçiq nuk është person i dëshiruar në Kosovë, dhe se një nga arsyet se pse Vuçiq, nuk është i dëshiruar në Kosovë, është mohimi i masakrave që kanë ndodhur nga regjimi serb në të kaluarën.

“Ne nuk e kemi një kërkesë së tillë. Duke e parë gjendjen, nuk ka pse të vijë në Kosovë, ai që e ka mohuar masakrën e Reçakut. Ai që 2 vite thotë por nuk e bën kërkesën. Unë nuk do t’ia jap lejen, por ai njëherë le ta bëjë kërkesë”, ka deklaruar Kurti.

Ditë më parë Vuçiq, kishte shprehur gatishmërinë për ta vizituar Kosovën gjatë muajit qershor të këtij viti.

Ndryshe, kryeministri Kurti duke folur për Ligjin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të cilin Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm, ka thënë se bëhet fjalë vetëm për vonesa dhe zvarritje.

Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është marrë më shumë nga opozita politike sesa nga motivi i ruajtjes së kushtetutshmërisë.