Teutë Rrusta, anëtare e PSD-së, për protestën e organizuar këtë të mërkurë kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, ka theksuar se protesta ishte për t’i treguar opinionit publik se kjo gjykatë po vepron me padrejtësi.

Ajo ka thënë se ndër arsyet e protestës është edhe mospajtimi me vizitën e kryetares Ektarine Trendafilovës, e cila, sipas tyre, po tenton ta normalizojë veprimtarinë e Gjykatës Speciale.

“Ne kemi paralajmëruar një protestë ose aksion protestues ku njëri nga qëllimet është me sensibilizuar opinion se këtu është duke ndodhur një padrejtësi. Edhe kemi marrë shkas ndaj vizitës së Trendafilovës, sepse ne mendojmë se më kë po takohesh dhe ku po shkon tregon pak se çfarë je duke dashur të bësh. Çfarë është duke dashur të bëjë kryetarja e Dhomave të Specializuar, është me e normalizuar veprimtarinë e Gjykatës Speciale”, është shprehur ajo.

Trendafilova në takimin e saj me përfaqësues të shoqërisë civile ka deklaruar se PSD-ja mund të vijë për të diskutuar me të, ndërsa Rrusta ka theksuar se PSD-ja më herët ka kërkuar takim me të, por ajo ka refuzuar duke theksuar se nuk diskuton për çështje politike.

Kjo, sipas Rrustës, ka shtyrë partinë të organizojë protestën si një mënyrë për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj praktikave të Gjykatës Speciale.

“Duke qenë ky fakt tashmë i dëshmuar, ne e kemi parë të rrugës që të mos e lejojmë që ky tregim të mos përfundojë në atë mënyrë qysh ajo është duke dashur të investojë. Pra, kritika jonë kryesore investimi në imazh nuk guxon me u leju, edhe ne kemi kërkuar më herët që me e taku zonjën Trendafilova edhe i kemi dërguar letër, ajo ka thënë që nuk diskuton për politik edhe nuk diskuton me parti pulitke. Dhe meqë ajo nuk mundet me u ballafaqu, por në të njëjtën kohë po shkon dhe po diskuton me shoqëri civile, ajo po e bën njëlloj menaxhimi të PR-it dhe po përpiqet t’ia gjejë një vend pranushmëri një gjykate që është duke u refuzuar në Kosovë, andaj ne kemi dashur të dërgojmë sinjale nga jashtë”, ka deklaruar Rrusta në Debat Plus.

Në lidhje me përdorimin e mjeteve shpërthyese në protestë, Rrusta ka theksuar se kjo ka qenë një formë e dramatizimit dhe se ato nuk kanë shkaktuar pasoja serioze, pasi sipas saj, kanë qenë mjete të tifozëve.

“Ne kemi marrë mjete të tifozëve, edhe i kemi përdorur aty, ajo krijon njëlloj dramaciteti, ato mjete janë pa pasoja edhe nuk kanë qenë as të drejtuara ndaj policëve. Duhet me cek që janë gjashtë të arrestuar, shumë gazetarë të lënduar dhe asnjë polic i lënduar, bilanci i ditës është ky në raport me dëmet e tilla”, ka deklaruar ajo.