Albin Kurti nuk erdhi në pushtet si një teknokrat i ftohtë, por si një politikan që e ndërtoi imazhin mbi moralin, drejtësinë dhe mbrojtjen e qytetarit të thjeshtë. Pikërisht për këtë arsye, dështimi në çështjen e rrymës peshon më rëndë. Sepse ai nuk kishte premtuar thjesht menaxhim më të mirë – ai kishte premtuar ndryshim rrënjësor. Rryma nuk është luks, por nevojë bazike.
Imer Mushkolaj
Kur Albin Kurti ishte në opozitë, rryma elektrike ishte një nga temat e tij të preferuara për ta goditur pushtetin. Çmimi i energjisë, menaxhimi i sektorit, padrejtësitë ndaj qytetarëve – të gjitha u shndërruan në armë politike. Kurti fliste si përfaqësues i popullit të lodhur nga faturat e shtrenjta, si zëri i familjeve që mezi e mbyllnin muajin. Premtonte drejtësi energjetike, stabilitet, ulje çmimesh dhe përgjegjësi. Sot, disa vite pasi e ka pushtetin në dorë, ajo retorikë duket si arkivë fjalësh të harruara.
Faktet janë kokëforta: prej se Kurti është në pushtet, rryma është shtrenjtuar disa herë. Faturat janë rritur, barrën kryesore e kanë marrë qytetarët dhe bizneset e vogla, ndërsa arsyetimet kanë qenë gjithnjë të gatshme: kriza globale, lufta në Ukrainë, tregjet ndërkombëtare, importi, kushtet e motit. Të gjitha këto mund të jenë faktorë realë, por asnjëra nuk e fshin përgjegjësinë politike për premtimet e dikurshme.
Kurti nuk erdhi në pushtet si një teknokrat i ftohtë, por si një politikan që e ndërtoi imazhin mbi moralin, drejtësinë dhe mbrojtjen e qytetarit të thjeshtë. Pikërisht për këtë arsye, dështimi në çështjen e rrymës peshon më rëndë. Sepse ai nuk kishte premtuar thjesht menaxhim më të mirë – ai kishte premtuar ndryshim rrënjësor.
Një nga momentet më irrituese për publikun ishte deklarata e tij e fundit se qytetarët e kanë qejf nxehtësinë dhe temperaturat në dhoma i kanë dukshëm më të larta se sa është normale. Një deklaratë e tillë, në një vend me paga të ulëta, dimra të ashpër dhe standard jetese të brishtë, nuk tingëllon si shpjegim – tingëllon si tallje. Të thuash se problemi është luksi i qytetarëve, kur ata mezi paguajnë faturat, është të zhvendosësh fajin nga politika te njerëzit.
Energjia elektrike nuk është luks. Nuk është privilegj. Nuk është dëshirë ekstravagante. Është nevojë bazike. Me rrymë ngrohen shtëpitë, funksionojnë shkollat, spitalet, bizneset, mediat, infrastruktura digjitale. Pa rrymë, jeta moderne paralizohet. Ta trajtosh energjinë si diçka që qytetarët duhet ta konsumojnë “me masë” sikur të ishte mall luksi, është të mos e kuptosh realitetin social të vendit.
Ironia më e madhe është se Albin Kurti dikur e kritikonte ashpër pushtetin për çdo rritje çmimi, për çdo dështim të sektorit energjetik, për çdo faturë të lartë. Ai kërkonte përgjegjësi, kërkonte llogaridhënie, kërkonte ndryshim. Sot, kur është në pozitën e atij që duhet të japë përgjegjësi, fshihet pas rrethanave, statistikave dhe justifikimeve.
* * *
Në vitin 2026, Kosova ende përballet me probleme serioze të furnizimit me rrymë. Ndërprerje, pasiguri, import i shtrenjtë, kapacitete të vjetruara prodhuese – të gjitha këto janë simptoma të një sektori që nuk është reformuar siç u premtua. Ku janë investimet strategjike që u paralajmëruan? Ku është vizioni afatgjatë për pavarësi energjetike? Ku është transparenca për marrëveshjet, kontratat dhe vendimet që ndikojnë drejtpërdrejt në xhepin e qytetarëve?
Në vend të reflektimit, shpesh kemi parë arrogancë. Në vend të pranimit të gabimeve, kemi parë relativizim. Në vend të kërkimit të faljes për premtimet e pambajtura, kemi parë tentim për ta rishkruar narrativën, sikur qytetarët të mos e mbajnë mend çfarë u tha dikur.
Por qytetarët mbajnë mend se si u premtua se rryma do të bëhej më e përballueshme. Mbajnë mend se si çdo rritje e mëhershme kritikohej si padrejtësi. Mbajnë mend se si Kurti fliste për moral politik dhe përgjegjësi. Dhe sot, kur realiteti është i kundërt me premtimet, ata shohin një lider që nuk e mban peshën e fjalëve të veta. Problemi nuk është vetëm çmimi i rrymës. Problemi është kriza e besimit. Sepse kur një politikan ndërton kapital politik mbi kritika morale dhe pastaj sillet si ata që i kritikonte, zhgënjimi bëhet dyfish më i madh.
Rryma është test për qeverisjen. Është test për ndjeshmërinë sociale. Është test për sinqeritetin politik. Dhe deri tani, testi nuk po kalohet. Jo sepse krizat nuk ekzistojnë – ato ekzistojnë – por sepse mënyra se si janë trajtuar nuk përputhet me fjalët që u thanë para se të merrej pushteti.
Tekefundit, qytetarët nuk kërkojnë mrekulli. Ata kërkojnë ndershmëri. Nëse premtimet nuk mund të mbahen, kërkohet përgjegjësi. Nëse çmimet rriten, kërkohet transparencë dhe empati. Nëse ka gabime, kërkohet pranimi i tyre. Por ajo që nuk kërkohet – dhe që nuk pranohet më – është tallja me hallet e njerëzve dhe shndërrimi i një nevoje bazike në objekt ironie politike.
Rryma nuk është luks. Është e drejtë. Dhe çdo pushtet që e harron këtë, herët a vonë do ta paguajë çmimin – politikisht dhe moralisht.