Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet nesër (e enjte), në orën 12:00.

Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi të publikuar në faqen e Kuvendit të Kosovës, duke e vendosur vazhdimin e seancës brenda afatit 48 orësh të paraparë nga Rregullorja e Punës së Kuvendit.

Një ditë më parë, Kuvendi nuk arriti të përmbyllte hapin e parë të seancës – verifikimin e mandateve të deputetëve të zgjedhur nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Opozita votoi kundër, me arsyetimin se disa ministra dhe vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, synonin të marrin mandatin e deputetit pa dhënë paraprakisht dorëheqje nga pozitat ekzekutive.

Nga ana tjetër, përfaqësues të Qeverisë në detyrë kanë deklaruar se pas përfundimit të mandatit qeveritar dhe para certifikimit të mandateve nga KQZ, zyrtarët në fjalë konsiderohen të kenë dhënë dorëheqje në mënyrë automatike.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se i ka dërguar një letër konfirmimi për dorëheqjen kryetarit të deritashëm të Kuvendit.