Qeveria e Serbisë ka reaguar pas ndalimit të Igor Popoviqit nga Policia e Kosovë, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij dhe duke e cilësuar ndalimin si provokim politik.

Përmes të ashtuquajturës ‘Zyrës për Kosovën’, Serbia ka bërë të ditur se ka informuar menjëherë Brukselin dhe misionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë për situatën e krijuar.

“Drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, e ka njoftuar menjëherë Brukselin për ndalimin e bashkëpunëtorit të tij dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij, si dhe mbrojtjen nga misionet ndërkombëtare që veprojnë në territorin e Kosovës”, thuhet në reagimin e Serbisë.

Sipas pretendimeve të kësaj zyre, Popoviq është ndaluar për shkak të deklaratave të dhëna pas një aktiviteti përkujtimor në zonën e Rahovecit, ku ai mori pjesë në përvjetorin e vrasjes së disa serbëve.

Ai kishte cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë kriminale”, ndërsa ndalimi i tij, sipas Beogradit, po përdoret nga Qeveria e Kosovës për të nxitur tensione të reja në terren.

Prokuroria Speciale: Popoviq në ndalim 48-orësh, po shqyrtohet kërkesa për paraburgim

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) lidhur me ndalimin e Igor Popoviqit, ka konfirmuar për Dukagjinin se ndaj tij është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh.

Ai dyshohet për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh ndaj personit I.P., lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit’. PSRK është duke vlerësuar mundësinë që, brenda këtij afati ligjor, të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, me qëllim të krijimit të mundësisë për të zhvilluar hetimet pa pengesa procedurale, pasi i dyshuari është shtetas i huaj”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Dukagjinin.

Popoviq është arrestuar dje nga Policia e Kosovës pas një fjalimi të mbajtur në fshatin Hoqë e Madhe, ku kishte përdorur gjuhë që dyshohet se nxit përçarje ndëretnike, duke cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste”.

Lista Serbe reagon pas arrestimit të Popoviqit

Lista Serbe ka reaguar gjithashtu pas ndalimit të Igor Popoviqit duke e cilësuar këtë veprim si një formë të persekutimit politik ndaj qytetarëve serbë që, sipas tyre, flasin hapur për të kaluarën.

Sipas deklaratës së kësaj partie, Popoviq u arrestua “sepse tha atë që të gjithë e dinë, por që injorohet vazhdimisht në Prishtinë”.

Tutje Lista Serbe ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për siç thpnë ata ‘shtypje të fjalës së lirë dhe ndëshkim të çdo serbi’ që, sipas tyre, guxon të flasë publikisht.

“Kjo tregon se për Kurtin, e vërteta është armiku më i madh dhe se çdo serb që flet hapur është një shënjestër për persekutim”, thuhet në deklaratë.

Më tej, Lista Serbe paralajmëron se për sa kohë që “serbët arrestohen që thonë të vërtetën dhe kriminelët ecin lirshëm, nuk do të ketë as paqe dhe as drejtësi në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e LS-së.