Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka vendosur sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN) të premten, vetëm disa orë pasi një ish-gjykatës i kësaj gjykate fitoi Çmimin Nobel për Paqe, duke rritur tensionet mes Uashingtonit dhe aleatëve evropianë.
Gjykata Penale Ndërkombëtare e ka dënuar këtë vendim, duke e cilësuar si “sulm ndaj sundimit të ligjit dhe vetë themeleve të rendit juridik ndërkombëtar” teksa u ka bërë thirrje 125 shteteve anëtare që të ndërmarrin veprime për ta mbrojtur institucionin, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
“Gjykata nuk mund të qëndrojë e vetme. Fati i saj tani varet edhe nga shtetet që e krijuan atë”, thuhet në deklaratën e GJPN-së.
“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e një institucioni të vetëm, por me ruajtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në sundimin e ligjit. Historia do ta gjykojë këtë moment”, thuhet më tej në reagim.
Administrata Trump ka mbajtur prej kohësh qëndrim kundërshtues ndaj GJPN-së, e themeluar në vitin 2002 për të ndjekur penalisht krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin. Më herët, Uashingtoni kishte vendosur sanksione ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të saj, ndërsa masa e fundit mund të shtrihet edhe ndaj kompanive që ofrojnë shërbime për gjykatën.
“Presidenti Trump nuk do ta lejojë kurrë Gjykatën Penale Ndërkombëtare të ndjekë penalisht amerikanët”, ka deklaruar sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në një komunikatë të publikuar fillimisht nga Reuters.
“Prandaj, sot Shtetet e Bashkuara po vendosin sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Ne do t’i ndalojmë transaksionet me këtë gjykatë që vepron jashtë mandatit të saj, duke ia ndërprerë burimet dhe duke e paralizuar aftësinë e saj për të funksionuar”, ka thënë Rubio.
Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi se sanksionet do të kenë një periudhë fillestare gjashtëmujore për zbatimin e tyre, si dhe disa përjashtime. Këto përjashtime mundësojnë vazhdimin e disa transaksioneve që lidhen me telekomunikacionin, softuerët, pagesat e pensioneve dhe personat e ndaluar.
Rubio tha se sanksionet janë hartuar në atë mënyrë që gjykata dhe shtetet anëtare të kenë mundësi t’u përgjigjen shqetësimeve të SHBA-së. Sipas tij, masat mund të ndryshohen nëse kërkesat e Uashingtonit nuk përmbushen.
SHBA-ja e ka kritikuar GJPN-në për fletarrestimet e lëshuara ndaj zyrtarëve izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, si dhe për një hetim të mëparshëm mbi veprimet e ushtarëve amerikanë në Afganistan. Gjykata ka deklaruar se ky hetim është “zbritur në prioritet”.
Zëvendësprokurorja e GJPN-së, Nazhat Shameem Khan, i tha Reutersit se sanksionet synojnë të dobësojnë sundimin e ligjit në nivel ndërkombëtar dhe punën e një institucioni të pavarur gjyqësor.
“Puna jonë do të vazhdojë në të gjitha situatat, hetimet dhe ndjekjet tona penale”, deklaroi ajo.
GJPN-ja ka lëshuar fletarrestime ndaj më shumë se 70 personave, përfshirë udhëheqës shtetesh dhe figura të rëndësishme të konflikteve ndërkombëtare.
Përveç Netanyahut, gjykata ka kërkuar arrestimin e figurave të Hamasit. Në mesin e personave të tjerë ndaj të cilëve janë lëshuar fletarrestime janë presidenti rus Vladimir Putin, ish-presidenti i Sudanit Omar al-Bashir dhe ish-udhëheqësi i Libisë, Muammar Gaddafi.
Ndërkohë, akuzat ndaj presidentit të Kenias, William Ruto, dhe ish-presidentit të këtij vendi, Uhuru Kenyatta, janë tërhequr.
