SHBA mbyll dyert për robotët kinezë: Trump i shpall kërcënim për sigurinë kombëtare

Administrata e presidentit Donald Trump ka njoftuar ndalimin e importit në Shtetet e Bashkuara të robotëve të rinj humanoidë dhe pajisjeve të tjera të avancuara robotike të prodhuara jashtë vendit, duke argumentuar se ato paraqesin “rreziqe të papranueshme” për sigurinë kombëtare.

Vendimi, i bërë publik nga Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC), përfshin robotët humanoidë, robotët me katër këmbë dhe invertorët e energjisë – pajisje që përdoren në qendrat e të dhënave dhe sistemet e energjisë diellore. Megjithëse masa vlen për të gjithë prodhuesit e huaj, ajo prek veçanërisht kompanitë kineze, të cilat kanë zgjeruar me shpejtësi praninë e tyre në sektorin e robotikës dhe inteligjencës artificiale.

Sipas kryetarit të FCC-së, Brendan Carr, qëllimi i vendimit është mbrojtja e zinxhirëve kritikë të furnizimit të SHBA-së dhe parandalimi i rreziqeve që mund të burojnë nga teknologjitë e huaja. Ai tha se invertorët e prodhuar jashtë vendit mund të përdoren për ndërhyrje në distancë, vjedhje të të dhënave ose sulme kibernetike, ndërsa robotët e avancuar mund të shfrytëzohen për mbikëqyrje, grumbullim informacioni apo kontroll të largët nga aktorë të huaj, raporton Ruters përcjell Dukagjini.

Megjithatë, ndalimi nuk prek pajisjet që janë autorizuar më parë nga FCC, të cilat do të vazhdojnë të lejohen në tregun amerikan.

Reagimi i Pekinit ishte i menjëhershëm. Ambasada e Kinës në Uashington akuzoi SHBA-në për politizim të çështjeve tregtare dhe përdorim të “preteksteve të pabaza” për të kufizuar kompanitë kineze. Pekini paralajmëroi se do të ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për të mbrojtur interesat e tij dhe i bëri thirrje Uashingtonit të heqë dorë nga, sipas tij, “mentaliteti hegjemonik” dhe të ndalojë sanksionet ndaj industrisë kineze të teknologjisë.

Vendimi vjen në një kohë kur rivaliteti teknologjik mes SHBA-së dhe Kinës është intensifikuar. Uashingtoni ka vendosur tashmë kufizime për eksportin e gjysmëpërçuesve të avancuar drejt Kinës, ndërsa automjetet elektrike kineze mbeten praktikisht të përjashtuara nga tregu amerikan për shkak të tarifave të larta doganore.

Nga ana tjetër, kompanitë kineze kanë shënuar përparim të shpejtë në zhvillimin e robotëve humanoidë për përdorim në fabrika, biznese dhe ambiente shtëpiake, duke sfiduar prodhues amerikanë si Tesla dhe Boston Dynamics në garën globale për dominimin e teknologjive të avancuara.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika