Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) e kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i cili të premten e 16 dhjetorit, është dënuar me 26 vjet burgim për krime lufte.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, duke cituar gjykatën se aktgjykimi i Mustafës nuk paraqet një gjykim kundër UÇK-së, ka thënë se vendimi i marrë nga Gjykata Speciale paraqet një hap që ndihmon drejt garancisë së sundimit të ligjit.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin në rastin kundër Salih Mustafës, rasti i parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës që përfshin akuza për krime lufte. Mustafa, një ish-komandant në njësinë Guerile të BIA-s të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), u dënua për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes të kryera në një vend të paraburgimit dhe marrjes në pyetje të BIA-s në vitin 1999, dhe u dënua me 26 vjet. Siç e ka thënë edhe trupi gjykues, ky vendim nuk është gjykim kundër UÇK-së apo Kosovës, mirëpo lidhet vetëm me përgjegjësinë penale të të pandehurit”, ka shkruar Price.

Krahas kësaj, Price ka thënë se pa individë të guximshëm, drejtësia nuk do të ishte e mundur.

“Ne po ashtu e përshëndesim trimërinë e viktimave individuale dhe dëshmitarëve që janë paraqitur, dhe dënojmë kërcënimet dhe frikësimet ndaj tyre. Pa këta individë të guximshëm, drejtësia nuk do të ishte e mundshme”, ka thënë Price në një komunikatë për media.

Vendimi ndaj Mustafës përbën aktvendimin e parë të Gjykatës Speciale lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

I njohur si “Komandat Cali”, Salih Mustafa, të premten e 16 dhjetorit, është dënuar nga Gjykata Speciale me 26 vjet burgim për krime lufte në Kosovë.

“Ju shpall fajtor për torturë si krim lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje si krim lufte. Duke qenë se jeni shpallur fajtor për më shumë se një vepër, trupi gjykues ka përcaktuar dënim më 10 vjet burgim për krimin së ndalimit arbitrar, dënim me 22 vjet burgim për torturë, 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme. Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim”, deklaroi kryetarja e trupit gjykues.

Ndonëse mbrojtja kishte kërkuar lirimin e tij nga të gjitha akuzat, prokuroria kishte kërkuar dënim unik prej 35 vjetësh burgim.

Fillimisht, “Komandant Cali” u akuzua për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, krime të cilat pretendoheshin të ishin kryer në Zllash të Kosovës gjatë vitit 1999.

Sipas aktakuzës për ndalim arbitrar, kryegjykatësja ka thënë se të paktën 6 personave u është ndaluar liria në periudhën 1 prill 1999 – 19 prill 1999. Ajo ka thënë se qendra e ndalimit në Zllash është kontrolluar nga Mustafa.

Krahas kësaj aktakuze, ajo e torturës thoshte se të ndaluarit janë mbajtur në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese. Sipas saj, pika e trajtimit mizor është mbuluar nga pika e torturës dhe si e tillë, nuk është shqyrtuar më tej.

Mustafa, ish-komandanti kosovar që u dënua më shumë sesa njeriu i afërt i Millosheviqit

Njerëzit e Millosheviqit ishin dënuar me më pak vjet se Salih Mustafa

Lufta e fundit në Kosovë solli vdekjen e mijëra personave dhe krahas saj, dhunim dhe tortura për shumë të tjerë.

Pavarësisht të gjithë kësaj, numrit të të pagjeturve, provave të gjalla të torturës dhe dhunimit, njeriu kryesor i Sllobodan Millosheviq për Kosovë, Nikola Shainoviq, ishte dënuar me 22 vjet burgim nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi në Hagë.

Ndërkaq, atij i ishte ulur dënimi nga 22 në 18 vjet burgim për dhunën gjatë luftës në Kosovë, e cila rezultoi në më shumë se 11,000 njerëz të vrarë dhe më shumë se 700,000 shqiptarë të Kosovës të dëbuar.

Nga ana tjetër, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Kosovë njëherit edhe përgjegjës për krime në luftën e Bosnjës dhe personi kyç në operacionin e deportimit të shqiptarëve nga Kosova, Dragoljub Ojdaniq, mori vetëm 15 vjet dënim, për dhjetëra vepra, për të cilat, akuzohej në kuadër të aktakuzës për kryerjen e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.

Një vit më pak u dënua kolegu i tij, Vladimir Lazareviç.