Mustafa, ish-komandanti kosovar që u dënua më shumë sesa njeriu i afërt i Millosheviqit

Pavarësisht të gjithë numrit të të pagjeturve, provave të gjalla të torturës dhe dhunimit, masakrave të kryera nga ushtria serbe në Kosovë përgjatë vitit 1999, njeriu kryesor i Sllobodan Millosheviq për Kosovë, Nikola Shainoviq, ishte dënuar me 22 vjet burgim nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi në Hagë. Të gjithë kolegët e tij ishin dënuar më pak sesa "Komandat Cali" i cili të premten e 16 dhjetorit, është dënuar nga Gjykata Speciale me 26 vjet burgim për krime lufte në Kosovë

Salih Mustafa

I njohur si “Komandat Cali”, Salih Mustafa u dënua nga Gjykata Speciale me 26 vjet burgim për krime lufte në Kosovë.

“Ju shpall fajtor për torturë si krim lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje si krim lufte. Duke qenë se jeni shpallur fajtor për më shumë se një vepër, trupi gjykues ka përcaktuar dënim më 10 vjet burgim për krimin së ndalimit arbitrar, dënim me 22 vjet burgim për torturë, 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme. Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim”, deklaroi kryetarja e trupit gjykues.

Ndonëse mbrojtja kishte kërkuar lirimin e tij nga të gjitha akuzat, prokuroria kishte kërkuar dënim unik prej 35 vjetësh burgim.

Akuzat ndaj Mustafës

Fillimisht, “Komandant Cali” u akuzua për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, krime të cilat pretendoheshin të ishin kryer në Zllash të Kosovës gjatë vitit 1999.

Sipas aktakuzës për ndalim arbitrar,  kryegjykatësja ka thënë se të paktën 6 personave u është ndaluar liria në periudhën 1 prill 1999 – 19 prill 1999. Ajo ka thënë se qendra e ndalimit në Zllash është kontrolluar nga Mustafa.

Krahas kësaj aktakuze, ajo e torturës thoshte se të ndaluarit janë mbajtur në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese. Sipas saj, pika e trajtimit mizor është mbuluar nga pika e torturës dhe si e tillë, nuk është shqyrtuar më tej.

“Ata janë mbajtur në kushte të mjerueshme në mes të bajgave të bagëtive. Ata flinin në ujë, në pellgje, në ahur ishte gjithmonë terr, ata nuk kishin ushqim të mjaftueshëm, kalonin dy tri-ditë pa ngrënë. Kur të ndaluarit kërkuan ujë, ushtarët e BIA-s urinuan mbi ta, duke thënë, ‘ja uji’”, tregonte ajo.

Ajo ka thënë se të ndaluarit janë rrahur me shkop bejsbolli, dhe se vetë Mustafa kishte keqtrajtuar dy prej tyre dhe kishte urdhëruar rrahjen e njërit person derisa ai kishte humbur ndjenjat.

Në pikën për vrasje të paligjshme, Veldt-Foglia ka thënë se vdekja e një viktime në periudhën e fundit të prillit 1999, “mund t’i atribuohet veprimeve dhe mosveprimeve të zotit Mustafa si komandant i BIA-s”.

Vetë Mustafa është deklaruar i pafajshëm derisa në një rast, ai gjykatën e ka konsideruar “zyre të Gestapos”, referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

Salih Mustafa ishte komandant i njësitit gueril BIA (‘njësiti BIA’), njësit brenda Zonës Operative të Llapit, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykimi ndaj tij përbën procesin e parë gjyqësor për krime lufte, i cili ka nisur në Gjykatën Speciale.

 Krimet e ushtrisë serbe në Kosovë

Në hulumtimin e FDH-së, transmeton DW, nxirren statistika edhe në bazë të komunave më të mëdha, ku del se territori i Gjakovës në perëndim të Kosovës, ka pasur humbjet më të mëdha. Në Gjakovë kanë mbetur të vrarë 1.022 civilë shqiptarë. Pas Gjakovës renditet Skënderaj me 984 të vrarë, Gllogovci me 804 vetë, Rahoveci me 724, Peja me 561, Prishtina me 466, Prizreni me 464, Vushtrria me 451, Suhareka me 434, Mitrovica me 417 vetë.

Sipas një raporti të vitit 2020, rreth 13.500 njerëz u vranë gjatë luftës së fundit në Kosovë (1999). Në numrin e të vrarëve, shqiptarët e Kosovës përbëjnë numrin më të madh të viktimave, me 10.812, serbët 2.197, kurse romët, boshnjakët, malazezët dhe joshqiptarët e tjerë përbëjnë 526 viktima gjithsej.

Masakrat më të njohura janë ajo e Prekazit( Jasharajve) më 5, 6 dhe 7 mars të vitit ’98, në të cilat, mbetën të vrarë 56 anëtarë, në mesin e tyre edhe Adem Jashari.

 

 

Masakra e Reçakut
Masakra e Reçakut

Krahas kësaj, njihet edhe Masakra e Reçakut më 15 janar të vitit 1999, fshat i Komunës së Shtimes. Nga kjo masakër mbetën dhjetra të vrarë, masakra e Izbicës, ajo e Rezallës, e Dubravës, e Krushës së Madhe, Masakra e Rugovës së Hasit, e Studimes dhe të tjera.

Masakra e Rugovës së Hasit

Dhunimet gjatë luftës së Kosovës

Numri i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës llogaritet të jetë rreth 20 mijë persona. Këtë e kishte pohuar në një fjalim para kongresit amerikan, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila kishte thënë se “deri tani askush nuk është dënuar për këto krime, ani pse tashmë ka raste që kanë dalë të flasin publikisht për këto dhunime”.

Deri në vitin 2020, me emër e mbiemër janë identifikuar rreth 1200 viktima.

Njerëzit e Millosheviqit ishin dënuar me më pak vjet se Salih Mustafa

Lufta e fundit në Kosovë solli vdekjen e mijëra personave dhe krahas saj, dhunim dhe tortura për shumë të tjerë.

Pavarësisht të gjithë kësaj, numrit të të pagjeturve, provave të gjalla të torturës dhe dhunimit, njeriu kryesor i Sllobodan Millosheviq për Kosovë, Nikola Shainoviq, ishte dënuar me 22 vjet burgim nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi në Hagë.

Atij i ishte ulur dënimi nga 22 në 18 vjet burgim për dhunën gjatë luftës në Kosovë, e cila rezultoi me më shumë se 11,000 njerëz të vrarë dhe më shumë se 700,000 shqiptarë të dëbuar të Kosovës.

Nga ana tjetër, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Kosovë, njëherit edhe përgjegjës për krime në luftën e Bosnjës dhe personi kyç në operacionin e deportimit të shqiptarëve nga Kosova, Dragoljub Ojdaniq, mori vetëm 15 vjet dënim, për dhjetëra vepra, për të cilat, akuzohej në kuadër të aktakuzës për kryerjen e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.

Një vit më pak u dënua kolegu i tij, Vladimir Lazareviç.

Njerëzit e Millosheviqit ishin dënuar me më pak vjet se Salih Mustafa

Disa nga reagimet

Pas dënimit të Mustafës, reagime të shumta nga figurat politike të Kosovës u renditen njëra pas tjetrës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se serbët që kanë kryer krime lufte në Kosovë nuk janë dënuar aq sa Mustafa.

“Ndërkohë ka mijëra vrasës nga Serbia që kurrë nuk janë dënuar e as gjykuar për mizoritë që i kanë bërë në Ballkan. Vetëm 26 serbë janë dënuar për mbi 12.000 të vrarë dhe mbi 20.000 të dhunuar seksualisht në Kosovë. I bie që secili prej të dënuarve serbë mesatarisht të ketë vrarë mbi 462 shqiptarë dhe të ketë dhunuar 770 syresh. E megjithatë ata kanë marrë dënime shumë më të lehta se ai që iu dha sot Salih Mustafës, i cili ka luftuar jo për të pushtuar ndonjë vend tjetër, por për të çliruar vendin e vet”, ka deklaruar ai gjersa ka theksuar se “Ky verdikt është indinjues”.

Krahas kësaj, Kurti ka theksuar se lufta e çdo populli kundër okupatorëve është e drejtë universale dhe se mbetet e papranueshme kur çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë sesa agresorin gjenocidal.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte e pastër dhe si e tillë, ai beson në pafajësinë e saj.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se dënimi sotëm i Salih Mustafës është vetëm një shkallë e drejtësisë.

“Unë besoj fuqishëm në pafajësinë e UÇK-së. Kosova e ka pranuar drejtësinë si mekanizëm për heqjen e gjitha dilemave se lufta e UÇK-së për lirinë e vendit ka qenë luftë e pastër! Dënimi sotëm i Salih Mustafës është vetëm një shkallë e drejtësisë, dhe rasti i tij në një shkallë tjetër shpresoj ta marrë një epilog tjetër për lirinë e tij, siç ka ndodhur në plot raste të tjera, që dënimet drakoniane janë rikthyer në pafajësi!”, ka shkruar ai.

Ministri Mehaj reagon pas dënimit të Mustafës, e quan Specialen të padrejtë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në konferencën e tij përmbyllëse për fundvit, ka reaguar edhe për vendimin e Gjykatës Speciale për dënimin e ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, me 26 vjet burgim.

Mehaj e ka quajtur të padrejtë Gjykatën Speciale.

“Gjykata Speciale është e padrejtë, pa bazament. UÇK është një prej ushtrive më të përsosura, më të organizuara për mbrojtjen e shtëpisë, familjeve dhe truallit e vet. Prej këndit profesional, por edhe personal, është e fabrikuar nga Serbia dhe miqtë e tyre. Besoj në drejtësi dhe do të merren hapa të duhur edhe për mbështetje nga qeveria dhe partnerët e tjerë”, deklaroi Mehaj.

Krahas Mehajt për këtë ka reaguar ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Aliu tha se ish-komandant Cali iu dha një dënim i pamerituar, dhe se ai kishte luftuar për çlirimin e vendit nga pushtimi serb.

Ai e përmendi edhe votën kundër të Lëvizjes Vetëvendosje për Gjykatën Speciale, duke thënë se “sot po kuptohet, fatkeqësisht, se kishim të drejtë”.

“Sot mori një dënim të rëndë dhe të pamerituar ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa – Cali, i cili luftoi për çlirimin e vendit nga pushtimi serb. Ne kemi qenë kundër Gjykatës Speciale kur themelimi i saj u propozua në Kuvend atëherë, dhe sot po kuptohet, fatkeqësisht, se kishim të drejtë. Plot 26 vite dënim, për njeriun i cili i doli në mbrojtje vendit të tij. Kjo është një padrejtësi e madhe ndaj gjithë kombit tonë. Lavdi luftës së pastër e të shenjtë të UÇK-së. Liri për çlirimtarin, që gjithë jetën e tij e vuri në shërbim të luftës për liri! Liri për komandant Calin!”, ka thënë ai.

Reagime pati edhe nga Ushtruesi i Detyrës së OVL e UÇK-së, Faton Klinaku.

Klinaku ka thënë se po të ishte e vendosur Gjykata Speciale në Kosovë, do të kishin marrë hapa, por sipas tij, është e pamundur të merren hapa për të, pasi gjykata e ka selinë në Hagë.

Klinaku i ka kritikuar partitë politike, për të cilat, ka thënë se nuk janë duke marrë asnjë veprim për ta kundërshtuar Gjykatën Speciale.

“Po të ishte Gjykata Speciale këtu në Kosovë, hapat do t’i kishit parë. Por ne nuk mund të bëjmë kurrfarë hapash këtu, përderisa kjo e ka selinë e vet në Hagë. Kuvendi i Kosovës është dashur të merret me këtë çështje sepse është turp për neve që ish-kryeministri, siç është i Britanisë së Madhe, ish-liderë botërorë merren dhe akuzojnë Gjykatën Speciale që është gjykatë politike e Kuvendi i Kosovës, politikanët tanë nuk merren fare me këtë çështje është absurde, dhe e dëmshme për vetë popullin tonë”, ka thënë Klinaku.

Ndërkaq, në Debat Plus të RTV Dukagjini, Klinaku ka thënë se kjo gjykatë është politike, me prokurorë e gjykatës politikë e rrjedhimisht merr edhe vendime politike.

Klinaku për dënimin e Mustafës: Vendim i marrë në emër te popullit serb, e jo popullit shqiptar

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika