“Shkolla Shqipe” në Zvicër, vlerë e shtuar dhe një kërkesë e kohës

“Shkolla Shqipe” në Zvicër është duke funksionuar me suksese të pandalshme, këtë e ka bërë të ditur koordinatori si dhe mësuesi i “Shkollës Shqipe” në Zvicër, Vaxhid Sejdiu. Ai ka rrëfyer rrugëtimin si një histori që filloi nga kërkesat e vazhdueshme të diasporës shqiptare

Foto nga organizimi i "Shkollës Shqipe", në Zvicër





Të folurit, të shkruarit dhe të lexuarit janë pjesë përbërëse e jetës së përditshme, ku gjuha është mjeti kryesor i shprehjes dhe komunikimit. Ka shumë gjuhë në botë, por gjuha e një kombi të mësohet në një vend të huaj me traditë dhe një kulturë të ndryshme nga Kosova, është një histori suksesi.

“Brenda një kohe të shkurtër, 2-3 vjetëve të fundit janë hapur mbi 75 ‘Shkolla Shqipe’ në Zvicër, dhe 30 të tjera janë në procesin e hapjes”.

Kështu është shprehur mësuesi nga Zvicra, Vaxhid Sejdiu, për Portalin Dukagjini, duke shtuar se janë të gatshëm t’i rrisin mundësitë e tyre për hapjen e pikave shkollore njëra pas tjetrës, aty ku i kërkojnë prindërit shqiptarë.

“Edhe këtë vit shkollor vazhdojmë me angazhimet tona, me qëllim që të kemi sa më shumë pika shkollore. Në momentin që shohim interesimin e tyre, ne rrisim gatishmërinë tonë me qëllim që sa më shpejt të fillojë mësimi”, është shprehur Sejdiu.

Sejdiu është një ndër mësuesit më të dalluar në këto tri dekadat e fundit dhe jo vetëm në kuadër të mësimdhënies, por edhe në kuadër të organizimit të mësimit në gjuhën shqipe në Zvicër.

Mësuesi i “Shkollës Shqipe” në Zvicër, Vaxhid Sejdiu

Tani, ai përveç se është një ndër mësuesit më të angazhuar është edhe koordinator i “Shkollës Shqipe” në Zvicër, një rrjet që përfshin dhjetëra pika shkollore në mbarë Zvicrën.

Fillimi i rrugëtimit të “Shkollës Shqipe”

Se si filloi ideja e hapjes së shkollave në gjuhën shqipe në Zvicër, dhe pse ishte e nevojshme hapja e tyre, Sejdiu ka treguar me detaje rrugëtimin e tyre, duke thënë se ideja nisi si reflektim i realitetit, i cili sipas tij, po kërkonte ndërhyrje të menjëhershme.

“Objektivi ishte dhe është rritja e pjesëmarrjes së nxënësve në klasat e mësimit të gjuhës shqipe. Kërkesa për një përfshirje më aktive të institucioneve shtetërore në procesin e mësimit të gjuhës shqipe ka qenë dhe mbetet një kërkesë konstante e diasporës shqiptare”, ka thënë Sejdiu.

Ai ka deklaruar se në përgjigje të kësaj kërkese dhe në zbatim të legjislacionit në fuqi si dhe marrëveshjet mes dy shteteve, Shqipëri-Kosovë për arsimin në diasporë, Ambasada e Republikës së Shqipërisë ka ndërmarrë një angazhim direkt dhe është përfshirë në një proces konkret, serioz e impenjativ.

“Angazhimi konkret i Ambasadës së RSH përmes njohjes prej autoriteteve zyrtare zvicerane si sponsore zyrtare e mësimit të gjuhës shqipe që nga viti 2019 është bërë në funksion të përmbushjes së objektivit të mësipërm”, ka shtuar ai.

Foto nga organizimi i “Shkollës Shqipe”, në Zvicër

Sipas tij, fakt është që në territorin e Konfederatës zvicerane ka një potencial prej afërsisht 30-35 mijë fëmijë të moshës shkollore, të cilët i përkasin diasporës shqiptare dhe vetëm afërsisht 1700-1800 prej tyre, ndiqnin mësimin plotësues të gjuhës shqipe në nivel konfederal.

“Kjo situatë kishte vite që vijonte të jetë e tillë”.

Sejdiu ka thënë se “Shkolla Shqipe” zhvillohet brenda kuadrit të shkollave zvicerane, në orët e së cilës mësohet gjuha shqipe.

“Nxënësit gjatë gjithë vitit shkollor kanë nga dy orë mësimore, ku synimi sipas tij, është që fëmijët shqiptarë ta mësojnë gjuhën amtare”.

Ndërsa, sa i përket organizimit, Sejdiu ka treguar se “Shkolla Shqipe” në Zvicër, përbëhet nga një grup mësuesish vullnetarë, të cilët “duke e parë gjendjen reale së bashku me prindërit u angazhuam në dy-tri vjetët e fundit, me të vetmin qëllim që ta ndryshojmë gjendjen në shkollat shqipe”.

“Funksionimi i ‘Shkollës Shqipe’ provoi të jetë një histori suksesi”

Mësuesi nga Zvicra, ka thënë se “Shkolla “Shqipe” me funksionimin e saj, tregoi se është një vlerë e shtuar që shton mundësitë për të ndikuar në rritjen e pjesëmarrjes së nxënësve në mësimin e gjuhës shqipe.

“Si rezultat i punës e përkushtimit të mësuesve e prindërve në kuadër të ‘Shkollës Shqipe’, tashmë numrit të përgjithshëm të nxënësve i shtohen edhe 900 nxënës që ndjekin kurset e ofruara prej saj”, ka treguar ai.

Foto nga organizimi i “Shkollës Shqipe”, në Zvicër

Sejdiu tashmë gati tri dekada është në shërbim të mësimdhënies në “Shkollën Shqipe”, duke pasur për qëllim përfshirjen e sa më shumë nxënësve në orët mësimore.

“Punoj në pikat shkollore në Volkteswil, Uster, Regensdorf, Zürich Affoltern, Rüti të kantonit të Zyrihut si dhe Neuenhof dhe Spreitenbach të kantonit të Argaut. Një mësimdhënie e cila kërkon punë dhe përkushtim për t`u mbajtur gjallë ndër vite”, ka thënë Sejdiu.

Sejdiu gjatë intervistës, ka treguar se “Shkolla shqipe” funksionon (tani me shkollën në Flamat) në 18 kantone të Zvicrës. “Fakt është se në kohën kur filluam ne, në shumicën e kantoneve të Zvicrës nuk kishte asnjë klasë të vetme, nuk kishte asnjë nxënës”.

Ndërsa, sipas tij, qëllimi i vetëm, ishte dhe është, hapja e sa më shumë pikave shkollore, dhe përfshirja sa më e madhe e fëmijëve shqiptarë.

Mësuesi shqiptar ka thënë se nxënësit fillimisht duhet të orientohen apo të këshillohen nga prindërit e tyre sepse vetëm në këtë mënyrë e kuptojnë rëndësinë e gjuhës amtare. Dhe pastaj në orët mësimore mësuesit, sipas tij, e kanë për obligim që t`i informojnë për rëndësinë edhe pasojat nga mosnjohja e gjuhës amtare.

Ai ka treguar se numri i nxënësve në këto pika shkollore kalon mbi 900 nxënës, të cilët rregullisht i ndjekin mësimet në gjuhën shqipe.

Mësuesi i Shkollës Shqipe, Vaxhid Sejdiu

Ndërkaq, mësimi bazohet në marrëveshjen e përbashkët Shqipëri – Kosovë, në regjistrin kombëtar, në politikat kombëtare të arsimit në kuadër të Qendra e Botimeve të Diasorës (QBD) dhe institucioneve përkatëse për tekstet shkollore.

“Ne kemi tekstet e reja shkollore të nivelit të parë, të dedikuara për shkollat shqipe në Diasporë, të cilat rrjedhin nga kjo marrëveshje. Presim që në muajt në vazhdim komisionet e përbashkëta të ulen dhe të punojnë edhe për tekstet shkollore të nivelit të dytë dhe të tretë”, ka deklaruar Sejdiun.

Orët mësimore në rend të parë, sipas tij, mësohet gjuha dhe letërsia shqipe. Por, Sejdiu ka thënë se në kuadër të planprogramit mësimor janë të parapara edhe orët mësimore nga lëmia e gjeografisë, historisë dhe kulturës kombëtare.

Në kuadër të Këshillit të arsimtarëve, Sejdiu ka thënë se janë angazhuar 35 mësues/e nga të gjitha trojet shqiptare, si dhe janë afër dhjetë mësues, të cilët janë në listën e pritjes për të filluar punën.

Ndërka, mësuesi shqiptar në Zvicër, për kolegët që punojnë dhe jetojnë në vendet e ndryshme të botës, u ka kërkuar që të bëhen bashkë për sensibilizim, pasi sipas tij, mediat elektronike dhe ato te shkruara e kanë mundësuar që sot bota shqiptare të jetë sa më afër.

“Të flasim sa më shumë për rëndësinë e gjuhës amtare dhe të mobilizohemi në shkallë kombëtare për këtë lloj mësimi, sepse familjet shqiptare janë të shpërndara në mbarë botën dhe një koordinim është më se i nevojshëm”, është shprehur ai.

“Si mësues shumëvjeçar me fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë, si mësues me një përvojë të gjatë në fushën e këtij lloj mësimi, apeloj te të gjithë prindërit që fëmijët e tyre t`i regjistrojnë me kohë në shkollën shqipe, dhe jo me vonesë, sepse ata të cilët vinë me vonesë nuk ndihen mirë, nuk janë të barabartë me ata të cilët e mësojnë gjuhën amtare me rregull. Prindërit e kanë për detyrë, pra është detyrim moral edhe kombëtar që fëmijëve të tyre, jo vetëm njërit, por të gjithëve t`ua ruajnë gjuhën amtare”, është shprehur tutje ai.

Gjithashtu, Sejdiu ka treguar se si pjesën më të madhe të kohës kanë punuar në kushte të jashtëzakonshme, sidomos në kushte pandemie. Por, sipas tij, ata arritën ta ndryshojnë gjendjen për të mirën e shkollës shqipe, duke hapur shkollat njëra pas tjetrës, nga njëri kanton në tjetrin dhe duke e përmbysur mendimin se fajtorë janë prindërit shqiptarë.





Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika