Situata në veri, gjithçka që ndodhi gjatë të premtes

Situata në veri të vendit vazhdon të ngelet me tensione, pasi gjatë mbrëmjes së 9 dhjetorit ka ndodhur edhe një shpërthim i radhës. ‘Shpërthyese’ ka qenë njashtu edhe çështja e mbajtjes apo shtyrjes së zgjedhjeve

Zyret e KQZ-së në Veri të Mitrovicës, 6 dhjetor 2022





Mbrëmja e djeshme u mbyll gjithashtu me një shpërthim në Mitrovicën e Veriut, i cili kësaj radhe ndodhi në afërsi të Policisë së Kosovës.

Më saktësisht, shpërthimi ka ndodhur në afërsi të lagjes “Tre Rrokaqiejt”, ku edhe ndodhet zyra e Komisionit Komunal Zgjedhor.

Informacionet e tilla, vazhdimisht po i bëjnë të ditura ekipet e gazetarëve të RTV Dukagjinit të cilët janë duke raportuar nga vendi i ngjarjes.

Lidhur me incidentet që po ndodhin në veri të vendit, të premten e 9 dhjetorit qëndrim kanë shprehur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që zëdhënësit e Departamentit të Shtetit u shprehen se ShBA-të dënojnë incidentet e dhunshme të ditëve të fundit që po ndodhin në veri të Kosovës.

“Përdorimi i eksplozivëve nuk është kurrë një metodë e pranueshme proteste dhe rrezikon jetën e njerëzve të pafajshëm”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Në anën tjetër për situatën në veri të vendit ka shkruar edhe Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ilir Dugolli, i cili ka thënë se Serbia po e shfaq zellin e saj.

“Zelli luftarak dhe luftënxitja e Serbisë është përsëri në shfaqje të plotë ndërsa kërcënojnë të kthejnë forcat e tyre famëkeqe në Republikën e Kosovës, të cilëve iu bashkua edhe Ëagneri po aq famëkeq”, kështu i ka vlerësuar kërcënimet Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ilir Dugolli.

Ndërkaq nga Bashkimi Evropian, ka folur një zyrtar për Radion Evropa e Lirë, i cili ka thënë se BE është e shqetësuar për tensionet që janë krijuar ditëve të fundit në pjesën veriore të Kosovës.

Këto tensione, BE i konsideron si rezultat i veprimeve nga të dyja anët.

“Kjo është natyrisht shumë serioze dhe është pikërisht rezultat i përshkallëzimit, të cilin po e shohim javëve të fundit. Është po ashtu vërejtje sesi veprimet e të dyja anëve çojnë deri te kjo situatë” ka thënë një zyrtar i BE-së në kushte anonimiteti.

Situata aktuale në veri të Kosovës njashtu ka vendosur në dyshim mbajtjen e zgjedhjeve në veri më 18 dhjetor dhe autoritetet kanë lënë të hapur mundësinë për shtyrjen e tyre.

Megjithatë, të premten e 9 dhjetorit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në mbledhjen e mbajtur të premten kanë vendosur të mos rekomandojnë shtyrjen e zgjedhjeve në veri.

“KQZ ka mandat kushtetues për përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve, prandaj ne kemi konfirmuar edhe një herë gatishmërinë dhe vullnetin tonë që ky proces të shkoj konform planifikimeve tona”, ka bërë të ditur anëtari i Komisionit, Arianit Elshani për Portalin Dukagjini.

Për zgjedhjet në veri të vendit Këshilltari i lartë i Departamentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Derek Chollet, ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore të Kosovës duhet të shtyhen për arsye të sigurisë.

“Ne e kemi shprehur qartë se mendojmë se nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh brishtësinë e situatës në këto momente”, ka deklaruar Chollet.

Por, sipas Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, caktimi i datës së zgjedhjeve në veri të vendit do të sqarohet brenda dy apo tre ditësh.

Osmani: Vendimi për zgjedhjet në veri çështje ditësh

Gjersa, ka treguar se për vendosjen e shtyrjes së zgjedhjeve nevojitet konsensus me partitë politike, pasi nuk duhet të merret ndonjë vendim “kokë në vete”.

Pas incidenteve dhe shpërthimeve që po ndodhin në veri, shpesh po deklarohet edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se “sulmet që cenojnë sigurinë e vendit tonë, ndaj qytetarëve dhe zyrtarëve policorë janë të pa pranueshme”.

Dhe sipas ministrit Sveçla, duhet angazhim i gjithsecilit që kryesit e këtyre veprave të sillen para drejtësisë.

Pas raportimeve për sulme, shpërthime e incidente në veri të vendit, aty janë parë të vendosura patrullat e EULEX-it, Policia e Kosovës e gjithashtu edhe pjestarët e KFOR-it, njëri prej të cilëve e kishte larguar të martën mjetin shpërthyes (granate dore), e cila ishte brenda objektit të KKZ-së.

E rrezikuar vlerësohet të jetë lagjja e Boshnjakëve, që aty gjatë mbrëmjes së 9 dhjetorit kanë qëndruar veturat e EULEX-it, ndërkaq nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur të premten se në vazhdimësi policia është duke përcjellur dhe vlerësuar situatën e sigurisë në Veri të Kosovës.

Shpërthimet në veri të vendit janë dëgjuar në Tre Rrokaqiejt, në Kodrën e Minatorëve dhe tek zyra e KKZ-së.

Policia e Kosovës po e kryen punën e saj, por gjatë të enjtes si pasojë e sulmeve në veri është plagosur një pjesëtarë i Policisë së Kosovës, i cili pas trajtimit mjekësorë është në gjendje të mirë shëndetësore.

Këtë të fundit gjatë kohës që po merrte trajtimin në Qendrën Klinike Univeristare të Kosovës, e kanë vizituar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe i pari i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Njashtu është sulmuar edhe ekipi i gazetarëve të Kallxo.com, që sulmu u krye nga disa persona të maskuar por, që edhe këta të fundit janë në gjendje të mirë shëndetësore.





Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika