Skepticizmi spanjoll ndaj integrimit të Kosovës, s’ka qëndrim “pro” anëtarësimit në BE

Një nga pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e ka njohur Kosovën si të pavarur është Spanja, e cila teksa është pyetur për qëndrimin e saj se a do ta miratojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, është shprehur skeptike

Ilustrim





Ndonëse Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, skepticizmi i disa vendeve mosnjohëse vazhdon ende.

Qëndrimet mjaft të ashpra, e në disa raste edhe agresive, të disa shteteve anëtare të BE-së kundër çdo trajtimi të Kosovës si shtet nga institucionet e Bashkimit Evropian janë përmendur disa herë.

Pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën janë, Rumania, Sllovakia, Qipro, Greqia dhe Spanja.

Kjo e fundit në një përgjigje për Portalin Dukagjini, teksa është pyetur se a do të marrë Kosova miratimin e Spanjës për t’iu bashkuar vendeve evropiane, mban qëndrimin e mosnjohjes së pavarësisë së shtetit të Kosovës.

Po ashtu, në këtë përgjigje theksohet se çështja midis Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhjet përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Spanja mban qëndrimin e saj për mosnjohje të deklaratës së pavarësisë të miratuar nga Prishtina në vitin 2008 dhe mbron nevojën që çështja të zgjidhet përmes dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Spanjës.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian vazhdon mbështetjen për Kosovën dhe afrimin e saj me vendet evropiane.

Për këtë, një zyrtar nga zyra për marrëdhënie me publikun e Bashkimit Evropian, në një përgjigje për Portalin Dukagjini, ka thënë se rruga e Kosovës drejt integrimit në BE varet edhe nga normalizimi i marrëdhënieve me shtetin fqinj, Serbinë.

“BE-ja vazhdon të mbështesë Kosovën në afrimin me BE-në, duke filluar përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit BE-Kosovë që ka hyrë në fuqi në vitin 2016”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

“Rruga e Kosovës dhe e Serbisë varet edhe nga normalizimi i marrëdhënieve”, vijon përgjigjja.

Qeveria e Kosovës e ka vënë si prioritet aplikimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.

Se synimet e Kosovës janë të qarta, e ka pohuar edhe BE-ja.

“Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane”, thuhet në përgjigjen e zyrtarit.

Sipas tij, Traktati për Bashkimin Evropian (Neni 49), është i qartë për kriteret dhe procedurat për të aplikuar për t’u bërë anëtar i BE-së.

“Aplikimet i dorëzohen Këshillit. I takon Këshillit të shqyrtojë një kërkesë të tillë, nëse do të paraqitet”, shtoi ai.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka diskutuar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për të cilin Kurti ka thënë se ky proces do të përfundojë deri në fund të këtij viti.

Sipas tij, ky vendim vjen si rezultat i orientimit politik dhe vleror, sa i Qeverisë, ashtu edhe i qytetarëve të cilët mbështesin masivisht dhe plotësisht integrimin në BE.

“Sa i përket rrugës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian, kryeministri Kurti tha se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian para përfundimit të këtij viti”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Kjo, pos që ishte bërë e ditur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të njëjtën e ka konfirmuar edhe Klisman Kadiu, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi.

Aplikimi i Kosovës për t’iu bashkuar shteteve evropiane do të bëhet gjatë muajit dhjetor.

“Kemi filluar përgatitjet për ta dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si hap i parë, e me synim marrjen e statusit të vendit kandidat. Aplikimi do të dorëzohet këtë vit, brenda muajit dhjetor. Ndërkohë, në fund të muajit gusht, është themeluar edhe Komisioni Ekzekutiv, i cili po merret me përgatitjet e këtij aplikimi. Qeveria po ndërmerr të gjithë hapat e nevojshme në informimin e aleatëve dhe Presidencës Çeke të BE-së për objektivin për të aplikuar”, ka thënë Kadiu për Portalin Dukagjini.

Kosova më 12 maj ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Deri tash ajo është bërë anëtare e disa organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe ato më të rëndësishme financiare dhe sportive.

Kosova është anëtare e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Organizatës Botërore të Doganave, Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit, Federatës Botërore të Futbollit, Federatës Evropiane të Futbollit, Komitetit Olimpik.

Në anën tjetër, Kosova nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, NATO-s, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL), Agjencisë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).





Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika