Këtë të premte, më 17 maj, përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, i cili kishte nisur që nga 5 prilli.

Rezultatet preliminare të regjistrimit pritet të publikohen brenda tre muajve.

Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2 mijë euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi.

Këtu nuk përfshihen informacionet mbi përkatësinë etnike dhe fetare, të cilat nuk janë të detyrueshme.

Regjistrimi i popullsisë ishte planifikuar të zhvillohej në vitin 2021, por u shty për shkak të pandemisë COVID-19.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), javën e kaluar, ka njoftuar se deri në ato momente janë regjistruar 1 milion e 420 mijë e 148 qytetarë.

Ndërsa, numri i qytetarëve të diasporës të regjistruar online ka kaluar 400 mijë, me pjesën dërrmuese të qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, por që kanë nënshtetësi të Kosovës.

ASK: Mbi 1 milion e 420 mijë qytetarë të regjistruar deri më tani