Gjatë mëngjesit të së hënës është raportuar se Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) kanë ndaluar Haxhi Shalën, i njohur gjatë luftës me nofkën “Topi”.

Operacionin e ka konfirmuar për Dukagjinin zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, (ZPS) Christopher Bennett, por pa dhënë detaje.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë dhe nuk ka komente të mëtejshme”, ka thënë Bennett.

Ndërsa sa i përket intervistimit të Shalës, lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar i biri i Shalës, Flakroni.

Ai ka thënë se Haxhi Shala është duke u intervistuar në zyrat e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) në Fushë Kosovë.

“E kanë ftuar për intervistim, deri më tani e kemi vetëm këtë informatë. Nuk i dimë arsyet, tani ndodhet në zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë”.

Kujtomë se gjatë kohëve të fundit janë kryer bastisje në Kosovë ndaj ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit nga ZPS.

Janë kryer bastisje në shtëpinë e Artan Behramit, të Bashkim Smakajt dhe të Blerim Shalës dhe  të tre ish-këshilltarë të Thaçit.

Specialja ka bastisur edhe shtëpinë e ish-kryetarit të komunës së Malishevës, Isni Kilaj, i cili edhe është arrestuar.

Dhe, së fundmi është bastisur edhe Behar Berisha, bashkëpunëtor i Salih Mustafës, i cili u dënua me 26 vjet burgim nga shkalla e parë e Speciales.