Abdixhiku ka rikujtuar se flamuri kombëtar u ruajt ndër breza edhe në kohët kur shqiptarëve në Kosovë u ndalohej shprehja e lirë e identitetit kombëtar.

Ai ka përmendur sakrificën e brezave që e mbajtën flamurin në shtëpitë e tyre, e morën me vete në mërgim dhe nën të luftuan për liri.

“Pavarësinë e shpallën në Vlorë. Festën e kemi në secilën shtëpi shqiptare”, ka shkruar Abdixhiku.

Kreu i LDK-së ka thënë se secili brez ka përgjegjësinë e vet ndaj atdheut, duke theksuar se brezit të sotëm i takon të ndërtojë një shtet të fortë e të drejtë dhe një shoqëri të bashkuar.

“Ne u detyrohemi fëmijëve tanë t’u lëmë një shtet të fortë e të drejtë, një shoqëri që di të bëhet bashkë dhe një atdhe ku ata duan ta ndërtojnë jetën e tyre”, ka theksuar ai.

Në fund, Abdixhiku ka përcjellë urimet për 28 Nëntorin për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen.