Çitaku nga Prekazi: Lufta për liri nuk është krim, Kosova e pavarur është kryevepra e Adem Jasharit
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, së bashku me anëtarët e kryesisë së partisë, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në nderim të dëshmorëve, në Ditën e Flamurit.
Pas homazheve, Çitaku ka uruar 28 Nëntorin për të gjithë shqiptarët, duke e cilësuar këtë datë si një festë të shumëfishtë, që shënon Ditën e Flamurit, Pavarësinë e Shqipërisë, daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari.
Ajo ka thënë se Prekazi, Adem Jashari dhe UÇK-ja përbëjnë themelet e lirisë së Kosovës, ndërsa shtetin e pavarur dhe sovran e ka cilësuar si kryeveprën e komandantit legjendar.
“Sa herë që kemi nevojë për energji, për frymëzim, rrugët na sjellin në Prekaz. Prekazi, Adem Jashari, UÇK-ja janë themelet e lirisë sonë. Kosova e lirë, e pavarur dhe sovrane është kryevepra e komandantit legjendar Adem Jashari”, ka deklaruar Çitaku.
Në prononcimin para mediave, ajo është ndalur edhe te lufta e UÇK-së, duke theksuar se lufta për liri nuk mund të cilësohet si krim dhe se shteti i pavarur i Kosovës nuk është “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
“Lufta për liri përfaqëson shkallën më të lartë të vetëdijes. Lufta për liri nuk është krim. Shteti i pavarur i Kosovës nuk është ndërmarrje e përbashkët kriminale”, ka thënë ajo.
Në fund, Çitaku u ka bërë thirrje shqiptarëve që të jenë edhe më të bashkuar në mbrojtje të vlerave që, sipas saj, janë krijuar ndër breza.















