Gjatë dëshmisë së saj në Komisionin Hetimor Parlamentar, ajo ka folur për kompetencat e saj institucionale, kapacitetet e Qendrës për Punë Sociale dhe takimin që kishte zhvilluar me Zekajn, pak ditë pasi ajo kishte paraqitur rastin në polici.

Në fillim të deklarimit, Mujaj-Bajraktaraj tha se është gjykuar dhe linçuar padrejtësisht për përgjegjësi që, sipas saj, nuk i takojnë drejtpërdrejt.

Ajo sqaroi se nuk trajton raste individuale dhe as nuk merr vendime profesionale për rastet e dhunës, por përgjegjësia e saj lidhet me hartimin e politikave për zhvillimin e fushës sociale në nivel lokal.

“Unë nuk trajtoj raste direkt, nuk jap mendime, nuk jap vendime në raport me fëmijët edhe me rastet e dhunës. E jam drejtor politik në kuptimin që hartoj politika për zhvillim të fushës sociale në nivel lokal. Kjo është përgjegjësia ime”, deklaroi ajo.

Duke folur për kapacitetet e Qendrës për Punë Sociale në Pejë, drejtoresha bëri të ditur se në dy shërbimet që ofron kjo qendër janë të angazhuar gjithsej shtatë zyrtarë.

Sipas saj, numri i punonjësve në shërbimin profesional është zvogëluar për dy, pasi njëra nga punëtoret, psikologe, ka shkuar në pushim të lehonisë, ndërsa një tjetër është transferuar në një dikaster tjetër.

Ajo vlerësoi se kjo ka ndikuar në rritjen e ngarkesës me raste dhe në vështirësimin e përmbushjes së standardeve të kërkuara profesionale.

Mujaj-Bajraktaraj tha se mungesa e grantit specifik për shërbime sociale i kufizon komunat në rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturore.

Sa i përket rastit të Arlinda Zekajt, ajo konfirmoi se ishte takuar me të, por mohoi pretendimet se e kishte detyruar atë ta tërhiqte ankesën.

“Jo, nuk është e vërtetë”, u përgjigj ajo, kur u pyet për këtë çështje.

Drejtoresha tregoi se takimi kishte ndodhur të hënën paradite, pasi Zekaj e kishte paraqitur rastin në polici të premten, më 10 korrik, gjatë orëve të pasdites.

Sipas saj, Zekaj kishte kërkuar takim menjëherë pas fillimit të orarit të punës dhe ajo e kishte pritur.

Gjatë takimit, Mujaj-Bajraktaraj tha se e ndjera kishte shprehur pakënaqësi për mënyrën e trajtimit të rastit nga Policia dhe për vlerësimin profesional të bërë lidhur me të.

“Arlinda ka shpreh shqetësime për trajtimin e rastit në polici. Në polici, ku ka qenë prezent edhe zyrtari për shërbime sociale. Ka kërkuar që rasti me u trajtuar me prezencë në vazhdim, me u trajtuar me prezencë të ambasadës amerikane edhe ka shpreh shqetësim në aspektin profesional të vlerësimit, duke e cilësuar si vlerësim të njëanshëm”, deklaroi ajo.

E pyetur se çfarë veprimesh kishte ndërmarrë pas shqetësimeve të Zekajt, drejtoresha tha se kishte ftuar udhëheqësin e shërbimit social për ta udhëzuar atë lidhur me të drejtat dhe procedurat e mëtejshme.

Sipas saj, udhëheqësi i shërbimit social i kishte kërkuar Zekajt që kërkesat dhe ankesat t'i paraqiste me shkrim, në mënyrë që të shqyrtohej trajtimi i tyre.

“Menjëherë sapo e kam kuptuar arsyen e takimit, e kam ftuar udhëheqësin e shërbimit social në cilësinë e profesionistit, me udhëzuar palën çka ka të drejtë edhe cilat janë procedurat në vijim. Udhëheqësi i ka kërkuar Arlindës, si të gjitha këto, kërkesa, ankesa, t’i dorëzojë me shkrim”, tha Mujaj-Bajraktaraj.

Komisioni Hetimor Parlamentar po shqyrton veprimet dhe mosveprimet institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, si dhe trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.