I pyetur disa herë të martën nëse institucionet federale kanë hetuar Huangun, Blanche u përgjigj: “Nuk e di për çfarë po flisni”.

Megjithatë, ai e cilësoi Nvidia-n si një “kompani të mirë qytetare”, duke thënë se nuk kishte arsye të deklaronte të kundërtën. Blanche shtoi se, nëse kompania do të ishte objekt i një hetimi penal ose do të pengonte punën e hetuesve, ky do të ishte një qëndrim tjetër.

Çështja lidhet me dyshimet për devijimin e çipave të avancuar të Nvidia-s drejt Kinës, përmes kompanisë Megaspeed, me seli në Singapor. Kjo e fundit dyshohet se ka ndihmuar në transferimin e çipave drejt Kinës, në kundërshtim me kufizimet amerikane të eksportit.

Departamentet amerikane të Tregtisë dhe Drejtësisë kanë bërë të ditur javën e kaluar se hetimet ndaj Megaspeed kishin nisur që në vitin 2024, për shkelje të mundshme të kontrolleve të eksportit. Ndërkohë, Departamenti i Tregtisë ka paralajmëruar se po përgatitet ta vendosë kompaninë në listën e zezë.

Huang pritet të paraqitet javën e ardhshme para Kongresit amerikan, ku do të përballet me pyetje lidhur me shqetësimet e sigurisë kombëtare dhe raportet e tij me një person të dyshuar si spiun kinez, i cili drejtonte kompaninë Megaspeed.

Rikthimi i tij në krye të Nvidia-s ka shkaktuar reagime në të dyja partitë kryesore amerikane. Presidenti Donald Trump ka pranuar se ka ndërhyrë drejtpërdrejt për të bindur drejtuesit e kompanisë që ta rikthenin Huangun në detyrë.

Trump madje ka deklaruar se do ta shqyrtonte mundësinë e faljes së tij në rast se do të zbulohej ndonjë aktivitet kriminal, ndonëse tha se nuk beson se një gjë e tillë do të jetë e nevojshme.

Ndërhyrja e Trumpit ka ngritur pikëpyetje për sigurinë kombëtare dhe konfliktet e mundshme të interesit. Kongresmeni demokrat Robert Garcia e ka cilësuar përfshirjen e presidentit si çështje që ngre shqetësime serioze për sigurinë kombëtare dhe korrupsionin.

Ndërkaq, senatori demokrat Ruben Gallego ka kërkuar hetim edhe për transaksionet me aksionet e kompanisë para njoftimit për rikthimin e Huangut.

Në tregjet financiare, aksionet e Nvidia-s shënuan rritje prej më shumë se 31 për qind të hënën, pas lajmit për rikthimin e Huangut, por të martën pësuan rënie prej gati gjashtë për qind.

Sipas BBC-së, Huang u ka kërkuar falje punonjësve të kompanisë, duke pranuar se kishte bërë “gabime të tmerrshme” dhe duke thënë se tashmë po ndjek terapi për 90 minuta në ditë.