Drançolli, e cila është koordinatore e këtij mekanizmi, ka thënë se përgjegjësia e saj është organizimi i katër mbledhjeve obligative gjatë vitit, në të cilat diskutohen rastet dhe koordinohen institucionet anëtare, përfshirë Qendrën për Punë Sociale dhe Policinë.

Ajo ka deklaruar se në këto takime anëtarët mund t’i paraqesin rastet specifike dhe ato që konsiderohen me prioritet, ndërsa rekomandimet që kërkojnë ndërhyrjen e saj i përcjell te kryetari i komunës apo institucionet përkatëse.

“Përgjegjësia ime tek mekanizmi si koordinatore, është katër mbledhje në vit t’i mbaj, janë të parapara edhe janë obligative, që llogariten çdo tre muaj. Aty unë i thërras anëtarët, e përgatis rendin e ditës dhe diskutohen rastet dhe mundohem që t’i koordinoj anëtarët e mekanizmit”, ka deklaruar Drançolli.

Ajo ka thënë se veprimet dhe rekomandimet e dala nga takimet dokumentohen në procesverbale, të cilat përmbajnë listën e pjesëmarrësve, rendin e ditës dhe rekomandimet, ndërsa ka përgatitur edhe raport narrativ për gjashtëmujorin e parë të vitit.

Mbledhja tri ditë para vrasjes

Gjatë dëshmisë, Drançolli është pyetur edhe për mbledhjen e mbajtur më 22 tetor, tri ditë para vrasjes së Arlinda Zekajt, ku ishte diskutuar një çështje e ngritur nga prokurorja.

Ajo ka treguar se prokurorja kishte ngritur shqetësimin lidhur me një raport të pranuar nga Durim Kelmendi, udhëheqës i Qendrës për Punë Sociale në Pejë, për një rast që përfshinte një fëmijë.

Sipas Drançollit, prokurorja kishte thënë se, bazuar në raport, ishin ndërmarrë hapa për trajtimin e rastit, ndërsa Kelmendi ishte përpjekur të merrej me fëmijën brenda përgjegjësive të tij.

Drançolli ka sqaruar se në diskutim ishte përmendur edhe mosha e fëmijës, mbi 12 vjeç, kur, sipas deklarimit të saj, fëmija vendos vetë dhe i takon babait.

Ajo ka thënë se prokurorja kishte rekomanduar që me fëmijën të punohej gradualisht, me qëllim të rikthimit të besimit të tij.

“Mandej edhe prokurorja ka thënë që gradualisht të punohet me fëmijën që t’i kthehet, t’ia kthejmë besimin te ai për ku është më mirë për me shku”, tha Drançolli.