Euro 2027 U21 në Shqipëri dhe Serbi, mësohen të gjitha kombëtaret pjesëmarrëse
Janë përcaktuar të 16 kombëtaret që do të marrin pjesë në Kampionatin Evropian U21, i cili vitin e ardhshëm do të organizohet nga Shqipëria dhe Serbia.
Të martën mbrëma janë zhvilluar ndeshjet e fundit të plejofit kualifikues, përmes të cilave katër përfaqësuese kanë siguruar biletën për në fazën finale të turneut.
Holanda, Greqia, Finlanda dhe Çekia janë katër kombëtaret e fundit që kanë siguruar pjesëmarrjen në Evropianin e vitit 2027.
Ndërkohë, Shqipëria dhe Serbia e kanë siguruar pjesëmarrjen automatikisht si vende organizatore.
Dhjetë kombëtaret e tjera të kualifikuara janë Kroacia, Norvegjia, Portugalia, Anglia, Franca, Italia, Gjermania, Polonia, Belgjika dhe Spanja.
Kampionati Evropian U21 do të zhvillohet nga 16 qershori deri më 3 korrik 2027.
Organizimi i përbashkët i këtij turneu me Serbinë ka nxitur kritika të shumta ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit, por FSHF-ja ka vazhduar përgatitjet për organizimin e garës.
Ky Evropian do të jetë historik për Shqipërinë U21, e cila për herë të parë do të marrë pjesë në fazën finale të një Kampionati Evropian të kësaj grupmoshe.
“Për herë të parë në histori, Kombëtarja shqiptare U21 do të jetë pjesë e fazës finale të një Kampionati Evropian të kësaj grupmoshe. Ky turne përfaqëson një ngjarje të rëndësishme për sportin shqiptar dhe një mundësi të veçantë për të promovuar vendin tonë në arenën ndërkombëtare, duke mirëpritur disa prej talenteve më të spikatura të futbollit evropian”, ka shkruar FSHF-ja të mërkurën.
Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar gjithashtu se shorti i fazës finale të Euro 2027 U21 do të hidhet më 26 nëntor, duke filluar nga ora 18:30, në Beograd.
Në këtë ceremoni, 16 kombëtaret pjesëmarrëse do të mësojnë kundërshtarët e tyre në fazën e grupeve të turneut.















