Rrahmani nuk ka arritur të fitojë hapësirën e dëshiruar që prej transferimit te Venezia. Në kampionatin italian, 26-vjeçari ka regjistruar vetëm tetë paraqitje, duke qëndruar në fushë për gjithsej 130 minuta dhe pa arritur të realizojë gol.

Ndërkohë, drejtuesit e Venezias kanë nisur të shqyrtojnë mundësinë e përforcimit të repartit ofensiv. Sipas gazetarit të njohur të merkatos, Nicolo Schira, klubi italian ka shfaqur interesim për sulmuesin ukrainas Artem Dovbyk.

Dovbyk aktualisht është pjesë e Bolognas në formë huazimi nga Roma, por edhe ai nuk po kalon një periudhë të mirë. Për shërbimet e tij interesim ka shprehur edhe Valencia.

Si Venezia, ashtu edhe klubi spanjoll preferojnë që transferimin e ukrainasit ta realizojnë në formë huazimi, me opsionin e blerjes në fund të sezonit.

Një transferim i mundshëm i Dovbykut do ta vështirësonte edhe më shumë pozitën e Rrahmanit, i cili tashmë ka pak hapësirë për të dëshmuar vlerat e tij në skuadrën italiane.

Venezia, e cila këtë sezon synon të sigurojë qëndrimin në Serie A, po përballet me vështirësi të mëdha. Skuadra aktualisht renditet në vendin e parafundit, ndërsa problemi kryesor mbetet mungesa e efikasitetit në sulm.

Me vetëm tetë gola të realizuar në kampionat, Venezia ka repartin ofensiv më pak produktiv në Serie A, çka ka shtyrë drejtuesit të kërkojnë alternativa të reja për fazën e dytë të sezonit.