Gjykatësi: Thaçi organizoi tri grupe për të ndërhyrë në dëshmitë e dëshmitarëve
Ka filluar seanca për shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të bashkakuzuarve të tij në rastin për pengim të drejtësisë në Gjykatën Speciale në Hagë.
Gjykatësi Christopher Gosnell, gjatë leximit të përmbledhjes së aktgjykimit, ka deklaruar se Prokuroria ka paraqitur 241 prova materiale, përfshirë audioincizimet e bisedave ndërmjet Thaçit dhe të bashkakuzuarve gjatë vizitave në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Ai ka bërë të ditur se regjistrimi i këtyre bisedave ishte autorizuar nga gjykata.
Duke iu referuar pretendimeve të aktakuzës, Gosnell ka thënë se Thaçi akuzohet se organizoi tri grupe, në të cilat përfshiheshin Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj dhe Isni Kilaj, gjatë vizitave të tyre në qendrën e paraburgimit në korrik, shtator dhe tetor të vitit 2023.
“Thaçi akuzohet se ishte drejtues ose organizator i secilit grup, me qëllim ndërhyrjen në dëshmitë e dëshmitarëve. Sipas aktakuzës, ai u zbuloi vizitorëve informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët. Akuzohen për tentativë për pengim me anë të veprimit të përbashkët të një grupi të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. Pretendohet se pengimi u tentua të kryhet në mosbindje në urdhrat e gjyqtarëve në çështjen 6 që i ndalonin të akuzuarit në atë çështje gjyqësore që të kontaktonin dëshmitarët e prokurorisë. Më konkretisht pretendohet se Thaçi organizoi tri grupe me z. Fazliun, Smakaj dhe Kilaj gjatë vizitave të ndryshme të tyre tek ai në objektin e paraburgimit në Hagë, në korrik, shtator, tetor 2023. Secili grup duhet t’i përcillte udhëzimin një dëshmitari të prokurorisë për të përgatitur këta dëshmitarë për të vlerësuar dëshminë e tyre”, ka deklaruar Gosnell.
Gjykatësi ka theksuar se, për shkak se personat që pretendohet se ishin shënjestër e pengimit përfshinin gjykatës dhe prokurorë, bëhet fjalë për formën e rëndë të veprës penale. Ai ka thënë se Thaçi akuzohet si drejtues ose organizator i secilit grup.
“Thaçi pretendohet gjithashtu se u zbuloi vizitorëve të tij informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarët duke shkelur fshehtësinë e procedurës. Disa nga informacionet që u nxorën kishin të bënin me dëshmitarin e mbrojtur, dëshmitarin 4 që Thaçi akuzohet sipas nenit 392-2. Për nxjerrjen e informacioneve dhe tendenca e komunikimit tërthorazi Thaçi akuzohet edhe për mosbindje ndaj Gjykatës”, ka shtuar ai.
Në këtë rast, përveç Thaçit, akuzohen edhe ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe veterani i UÇK-së, Fadil Fazliu.















