Irani nis reformimin e sistemit të inteligjencës pas dështimeve të sigurisë
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei, ka urdhëruar ristrukturimin e sistemit të inteligjencës së vendit, ka bërë të ditur kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf.
Sipas tij, incidentet e viteve të fundit kanë nxjerrë në pah mangësi të mëdha në sistemin e sigurisë dhe inteligjencës së Teheranit.
Qalibaf tha të dielën se qeveria nuk duhet ta vonojë emërimin e një ministri të përhershëm të Inteligjencës, pasi të miratohet ligji për ristrukturimin e këtij institucioni nga Këshilli i Gardianëve, organi që shqyrton përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën.
Ministria e Inteligjencës ka mbetur pa drejtues të përhershëm që nga 18 marsi i këtij viti, kur ministri i fundit, Esmail Khatib, u vra në një sulm izraelit. Deri më tani nuk është emëruar pasardhësi i tij, raporton Reuters.
Khatib kishte drejtuar shërbimin civil të inteligjencës që nga gushti i vitit 2021, ndërsa më parë kishte punuar në zyrën e ish-udhëheqësit suprem, Ali Khamenei, babait të Mojtaba Khameneit, i cili u vra gjatë sulmeve amerikano-izraelite në fillim të luftës me Iranin.
Dobësitë e sistemit iranian të sigurisë janë vënë në pah nga disa operacione izraelite, përfshirë vrasjen e shkencëtarit bërthamor Mohsen Fakhrizadeh në vitin 2020 dhe atë të liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran në vitin 2024.
Ato u ekspozuan edhe më tej gjatë luftës 12-ditore në qershor të vitit 2025, kur operativë izraelitë brenda Iranit ndihmuan në shënjestrimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore, lëshuesve të raketave dhe komandantëve të lartë ushtarakë.
Qalibaf bëri të ditur se fillimisht Parlamenti i kishte kërkuar qeverisë të paraqiste një projektligj për ristrukturimin e Ministrisë së Inteligjencës, por, pas vonesave, deputetët vendosën ta trajtonin vetë këtë çështje.
Të dielën, deputetët miratuan në parim projektligjin dhe nisën shqyrtimin e dispozitave të tij.
Ndryshimet parashohin zgjerimin e kritereve për emërimin e ministrit të Inteligjencës. Sipas mediave shtetërore iraniane, në këtë pozitë tashmë mund të emërohen edhe kandidatë që nuk janë klerikë, me kusht që të kenë diplomë master, njohuri dhe përvojë në fushën e inteligjencës, si dhe së paku 10 vjet përvojë në pozita të nivelit të mesëm ose të lartë drejtues.
Deri më tani, kriteret përfshinin edhe kandidatë me kualifikim në ixhtihad, që nënkupton arsyetimin e pavarur juridik islam.















